ASIM VOKSHI

Anëtar i Gjykatës së Lartë
 

Asim Vokshi ka lindur në Korçë në 20 prill 1981. Është i martuar dhe ka një fëmijë.

Z. Vokshi është diplomuar në vitin 2003 me rezultate shumë të mira në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Në vitin 2006 ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera Shkollën e Magjistraturës duke u renditur i pari. Në vitin 2008 përfundoi shkëlqyeshëm studimet master në shkencat civile pranë Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Në vitin 2013 përfundoi studimet LLM pranë Universitetit të San Diegos, Kaliforni, si përfitues i bursës Fulbright, bursë e dhënë nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2015 fiton gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës duke u vlerësuar me pikët maksimale.

Me dekretin nr.4656, datë: 03.10.2005 të Presidentit të Republikës emërohet gjyqtar dhe caktohet të kryejë stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Me dekretin nr.5107, datë: 06.11.2006 të Presidentit të Republikës caktohet përfundimisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke e ushtruar këtë detyrë deri në nëntor 2016. Në këtë kohë me dekretin nr.9826, datë 08.11.2016 të Presidentit të Republikës, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Përpara ushtrimit të funksionit të gjyqtarit, z. Vokshi ka qenë pjesëmarrës në shoqërinë civile duke mbështetur aktivisht kauza me interes publik që lidhen me të drejtat e njeriut.

Përpos kontributit në gjyqësor, Asim Vokshi ka dhënë kontribut domethënës edhe në botën akademike, duke u angazhuar si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës nga viti 2006 deri në 2015 si dhe prej vitit 2020 si pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës. Z. Vokshi në vitin 2008 është certifikuar nga Këshilli i Europës si trajner kombëtar për Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu është angazhuar në vazhdimësi si ekspert i Shkollës së Magjistraturës për trajnimet vazhduese mbi Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të drejtën e brendshme, në fushën e procedurës civile, të drejtës administrative, etj. Në sferën akademike ka dhënë gjithashtu një kontribut të vyer si autor dhe bashkautor i disa botimeve, cikël leksionesh dhe artikujve shkencore në fushën e procedurës civile, të drejtës civile dhe të drejtave të njeriut, nga të cilët veçojmë bashkëautorësinë në librat “Procedurë Civile” (Pjesa I-Botimi II, 2018) dhe “Procedurë Civile” (Pjesa II-Botimi II, 2018), si dhe ciklin e leksioneve për studentët e fakultetit të drejtësisë “E Drejta e Detyrimeve I” dhe “E Drejta e Detyrimeve II” (2008). Z. Vokshi është pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, në të cilat ka referuar për tematika të ndryshme ligjore.

Me dekretin nr.13188, datë 29.07.2021 të Presidentit të Republikës, emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.