Anëtare e Gjykatës së Lartë
Arbena Ahmeti ka lindur në Lushnje, në datë 20 nëntor të vitit 1980. Ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë.
Zonja Ahmeti është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në korrik të vitit 2003, ku në përfundim të studimeve ka marr titullin «Jurist», me rezultate të larta. Përgjatë vitit 2004, ka punuar si juriste në Drejtorinë Juridike pranë Bashkisë Tiranë. Në vitin 2006 ka përfunduar me rezultate të larta Shkollën e Magjistraturës, duke mbajtur titullin “Magjistrat Gjyqtar”.
Në datë 04.10.2006, Dekret të Presidentit të Republikës, është dekretuar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, përgjatë vitit të tretë të Shkollës së Magjistraturës. Në përfundim të Shkollës, në tetor të viti 2007, është caktuar si gjyqtare e shkallës së parë në Lushnje, pranë seksionit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. Në korrik të vitit 2013 me Dekret të Presidentit të Republikës është emëruar si gjyqtare në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Gjatë ushtrimit të funksionit të gjyqtarit ka marr pjesë në trajnime të ndryshme të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës, në kuadrin e programit të trajnimit vazhdues, si dhe nga organizata të tjera brenda dhe jashtë vendit, në cilësinë e pjesëmarrëses dhe të ekspertes. P rej vitit 2011, gjithashtu është angazhuar pranë Shkollës së Magjistraturës në programin e trajnimit vazhdues, në panelin e trajnerëve, në rolin e lehtësueses dhe ekspertes. Fusha e ngushtë e ekspertizës është e Drejta Administrative.
Prej muajit korrik 2017 deri në nëntor të vitit 2021 ka qenë Magjistrat Udhëheqës për Gjykatën Administrative, për kandidatët Magjistratë, në vitin e tretë, në Shkollën e Magjistraturës. Gjithashtu, është trajnuar pranë Shkollës së Magjistraturës, Francë ( Bordo) përgjatë vitit 2019 si trajnere për trajnerët e Magjistratëve. (Program i posaçëm për Magjistratët e Huaj e organizuar prej Shkollës së Magjistraturës Francë dhe Ambasadës Franceze në RSH)
Ka qenë pjesëmarrëse nga Gjykata Administrative, në grupin e punës gjatë procesit të hartimit të Kodit të Procedurave Administrative prej Kuvendit të RSH, gjatë vitit 2014-2015 dhe pjesë e grupit të punës, në një sërë iniciativash të tjera të kësaj kategorie. (si ndryshimet ligjore në ligjin e prokurimeve publike, ligjit për kthimin e pronave të ish pronarëve, etj).
Është anëtare e Bordit Drejtues të Forumit të Grave Gjyqtare Shqiptare (FGGJSH) dhe anëtare e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. (UGJSH)
Me dekretin me Nr.13477, datë 16.02.2022 të Presidentit të Republikës, emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.