N J O F T I M – V E N D I M N J Ë S U E S
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë njofton se në datën 23.07.2024, mori në shqyrtim çështjen administrative me Nr.31003-00018-00-2024 regjistri, me palë Paditës: Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Rurale 2, I Paditur: N.B., F.B., E.B., Objekti i padisë: Detyrimin e familjes bujqësore me përfaqesues z. N.B. të paguajë vlerën monetare për pasurinë e shitur prej 2600 m2, në shumën .....". Gjatë shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi, kolegji vendosi:
1️. Kalimin e çështjes administrative nr.31003-00018-00-2024 akti, për shqyrtim në seancë gjyqësore nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga 5 gjyqtarë.
2️. Çështja e shtruar për njësim: -Si gjen zbatim neni 68, pika 4, 5 e në vijim të kësaj dispozite kalimtare të ligjit nr.20/2020 “Për Përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, për çështjet e regjistruara për shqyrtim pranë Gjykatave Administrative?
Pas zhvillimit të seancës gjyqësore të datës 18.02.2025, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vendosi të njësojë praktikën gjyqësore, sipas kësaj mënyre interpretimi:
-Në zbatim të nenit 68, pika 5 të ligjit nr.20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” për të gjitha paditë e ngritura nga prefekti, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, më datë 07.05.2020, me objekt pavlefshmërinë/shfuqizimin e AMTP-ve, pavarësisht se në cilën shkallë gjykimi ndodhen, ASHK detyrohet të heqë dorë nga e drejta e padisë, përveç rasteve kur shkaku ligjor i padisë është sipas përcaktimeve të nenit 7, pika 1 të këtij ligji.
-Kur mungon vullneti i shprehur për heqjen dorë nga e drejta e padisë prej ASHK, në zbatim të nenit 68, pika 4 të ligjit nr.20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” gjykatat vijojnë shqyrtimin e padive të ngritura nga prefektët me objekt pavlefshmërinë/shfuqizimin e AMTP-ve, sipas kritereve të këtij ligji.
-Në rast se në padi ngrihen formalisht pretendime me shkaqe nga ato të përcaktuara nga neni 7(1) i ligjit nr.20/2020 gjykatat disponojnë për pranimin ose rrëzimin e padisë, varësisht gjendjes së faktit të vërtetuar. Nëse padia nuk ngre formalisht asnjë nga shkaqet e përcaktuara nga neni 7(1) i ligjit nr.20/2020, gjykatat vlerësojnë mungesën e legjitimimit aktiv material të palës paditëse dhe disponojnë me rrëzimin e padisë.
• Në lidhje me zgjidhjen e çështjes konkrete:
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 62/a, 63, pika 1, shkronja “dh” , të ligjit nr.49/2012 “Për Gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, i ndryshuar,
VENDOSI:
1. Ndryshimin e vendimit nr.494 (86-2023-720), datë 07.07.2023 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe të vendimit nr. 4687 (80-2016-4727), datë 12.10.2016 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe rrëzimin e padisë.
2. Ky vendim njësues botohet në Fletoren Zyrtare.