NJOFTIM PËR ZHVILLIMIN E PRAKTIKËS GJYQËSORE PËR ÇËSHTJEN ADMINISTRATIVE ME NR. AKTI 31003-00624-00-2020

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në datën 21.05.2026, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore, çështjen administrative me nr. 31003-00624-00-2020 akti, që i përket palëve; Paditës: M. V., (trashëgimtare e A. V.), etj., E Paditur: Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Objekti: Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së punës ndërmjet paditësit dhe palës së paditur duke detyruar palën e paditur: I. Të më dëmshpërblejë me pagat e një viti, për shkak të lirimit nga detyra pa shkaqe të arsyeshme të mbështetura në prova dhe në ligj. II. Të paguajë shpenzimet gjyqësore.

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton, se në çështjet që lidhen me marrëdhëniet e punësimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët janë liruar/përjashtuar nga Policia e Shtetit, ka qëndrime të paqarta në praktikën gjyqësore, nëse për marrjen e dëmshpërblimit si rezultat i ndërprerjes së kësaj marrëdhënie, është kusht kundërshtimi i aktit të lirimit/përjashtimit nga Policia e Shtetit, pa të cilin nuk mund të kërkohet dëmshpërblimi, apo dëmshpërblimi mund të jetë kërkim i pavarur nga kundërshtimi i aktit.

Në lidhje me sa më sipër, në referim të nenit 62 të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” (i ndryshuar), vendimi i ndërmjetëm i Kolegjit Administrativ për kalimin e çështjes në seancë gjyqësore me qëllim zhvillimin e praktikës gjyqësore, përcakton çështjet (pyetjen) e shtruara për zhvillim.

A mund të shqyrtohet në gjykim kërkimi për dëmshpërblim, i paraqitur nga punonjësi i Policisë së Shtetit për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, kur ai nuk ka kundërshtuar aktin e largimit nga detyra, apo kundërshtimi i këtij akti përbën parakusht të domosdoshëm për lindjen dhe shqyrtimin e së drejtës për dëmshpërblim?"