Dita e hapur në Gjykatë

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, dëshiron të informojë publikun dhe këdo të interesuar, se do të nisë të zbatojë sërish traditën e “Ditës së Hapur në Gjykatë”, në zbatim të respektimit të masave të vendosura si pasojë e situatës së Covid-19.

“Dita e Hapur në Gjykatë”

Në vlerësim dhe respektim të rëndësisë që ka rritja e besimit të publikut tek drejtësia;

Të vendosur për të sjellë gjykatën sa më pranë publikut;

Në kuadër të një gjykatë transparente dhe miqësore.

E konceptuar, që në krye të herës, si një ditë dialogu mes publikut, studentëve e nxënësve me Gjykatën e Lartë, kjo ditë ka si qëllim njohjen e qytetarëve dhe të rinjve me organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri dhe Gjykatës së Lartë, që nga themelimi i aktit të parë juridik më 10 maj 1913, proceset në të cilat po kalon sot gjyqësori në Shqipëri dhe veçanërisht në trajtimin e temave të ndryshme me interes sipas grupeve që do të vizitojnë gjykatën, si edhe vizita në ambjente të ndryshme të godinës, sallave të gjyqeve, sallës së mbledhjes së gjyqtarëve, etj.

Në rastin e vizitës së gjykatës nga nxënës shkollash apo studentësh, mund të organizohet gjithashtu edhe një seancë gjyqi imitues, ku pjesëmarrësit do të vihen përballë një rasti gjyqësor dhe do të përfshihen në rolet e palëve në procese gjyqësore.

Stafi administrativ i Gjykatës së Lartë do jetë plotësisht i angazhuar dhe në dispozicion të të gjithë të interesuarve, që do të kenë dëshirën të bëhën pjesë e këtij organizimi.

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, me miratimin e Këshillit të Gjykatës, do të mundësojëtë premten e fundit të çdo muaji, “Ditën e Hapur në Gjykatë”, për këdo që dëshiron të vizitojë këtë gjykatë.

Për arsye organizimi, kushdo që ka interes për të vizituar Gjykatën e Lartë, (qytetarë, studentë, nxënës shkollash) duhet të regjistrohet në faqen zyrtare të kësaj gjykate www.gjykataelarte.gov.al , në seksionin “Marrëdheniet me Publikun” – Akreditimi , ku do të vendosë emrin dhe mbiemrin, adresën e emailit, si edhe një tekst të shkurtër mbi arsyen apo qëllimin e vizitës. Më pas stafi organizator, Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun do të marrë të gjitha masat e nevojshme për organizimin e vizitës.

Duke shpresuar se kjo mundësi do të shërbejë për të arritur qëllimin tonë, për një gjykatë më pranë publikut, më transparente dhe miqësore, ftojmë të gjithë të interesuarit të bëhën pjesë e saj.

Me respekt,

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë