Vizitë zyrtare e delegacionit të Gjykatës së Lartë në Madrid për forcimin e bashkëpunimit ndërgjyqësor

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Delegacioni i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë zhvilloi një vizitë zyrtare në Madrid, me ftesë të institucioneve homologe spanjolle, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërgjyqësor dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.
Delegacioni, i kryesuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe nga Zëvendëskryetari Ilir Panda, Kryetari i Kolegjit Civil Valbon Çekrezi, Gjyqtari Ervin Pupe, si dhe Drejtorja e Kabinetit Arta Vorpsi, zhvilloi takime me drejtues të Gjykatës Kushtetuese të Spanjës, Gjykatës së Lartë të Spanjës dhe Këshillit të Përgjithshëm të Drejtësisë.
Vizita u fokusua në shkëmbimin e përvojave mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave të larta, procedurat e pranimit të rekurseve, efikasitetin e administrimit të çështjeve dhe rolin e jurisprudencës në garantimin e një sistemi gjyqësor të qëndrueshëm dhe të unifikuar.
Gjatë qëndrimit në Gjykatën Kushtetuese të Spanjës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u prit nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Cándido Conde-Pumpido Tourón, ku nënshkroi edhe në Librin e Nderit të institucionit.
Në Gjykatën e Lartë të Spanjës, delegacioni u mirëprit nga Zëvendëskryetari, Dimitry Berberoff, dhe mori pjesë në një tryezë diskutimi kushtuar procedurave të pranimit të rekurseve dhe rolit të tyre në zhvillimin e jurisprudencës.
Vizita vijoi në Këshillin e Përgjithshëm të Drejtësisë, ku u zhvilluan takime me përfaqësues të institucionit dhe u diskutuan praktikat më të mira në organizimin e sistemit gjyqësor, marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe garantimin e shtetit të së drejtës.
Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve më të larta gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës, duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e standardeve të drejtësisë.


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al