Tryezë e rrumbullakët mes Gjykatës së Lartë të Shqipërisë dhe Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, Gjykata e Lartë e Shqipërisë mirëpriti një delegacion të Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë, të përbërë nga Zëvendëskryetari z. Stefano Mogini, Drejtori i Zyrës së Studimeve dhe Kërkimeve (Ufficio del Massimario) z. Alberto Giusti dhe Zëvendësprokurori i Përgjithshëm pranë kësaj gjykate z. Gianluigi Pratola.

Delegacioni u prit fillimisht në një takim zyrtar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, ku u theksua rëndësia e forcimit të dialogut dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy sistemeve gjyqësore. Sipas tij, kjo marrëdhënie ka hyrë në një nivel të ri dhe po konsolidohet si një bashkëpunim i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm.

Në vijim, u zhvillua Tryeza e Rrumbullakët me gjyqtarët e Kolegjit Civil dhe Penal, ku diskutimet u përqendruan në një vështrim krahasues të sistemeve gjyqësore shqiptare dhe italiane, si dhe në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët në praktikën gjyqësore.

Në kuadër të kësaj vizite dyditore, u zhvillua gjithashtu një takim me Qendrën e Dokumentacionit dhe Njësinë e Shërbimit Ligjor, i moderuar nga znj. Arta Vorpsi, PhD, Drejtore e Kabinetit. Gjatë këtij takimi u shkëmbyen përvoja mbi jurisprudencën dhe praktikat më të mira, me fokus të veçantë në modelin e Zyrës së Studimeve dhe Kërkimeve (Massimario), si një instrument i rëndësishëm për sistemimin dhe unifikimin e praktikës gjyqësore.

Ky bashkëpunim zhvillohet në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar në Romë në janar 2025, duke reflektuar angazhimin e përbashkët për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e mëtejshëm të drejtësisë.


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al