
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
E ndodhur në Tiranë për një vizitë zyrtare, zj. Anette Kramme, anëtare e Bundestag-ut Gjerman dhe Sekretare Parlamentare e Shtetit pranë Ministres së Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, u prit sot në një takim nga Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi dhe Zëvendëskryetari Ilir Panda.
Zj. Kramme shprehu vlerësimin e saj dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë proces si një angazhim që shkon përtej dimensionit ekonomik dhe lidhet ngushtë me përputhjen e vlerave evropiane që Shqipëria i ndan. Ajo u ndal edhe tek sfidat e Gjykatës së Lartë pas Reformës në Drejtësi, të cilën e përshkroi si një ndërhyrje të thellë shoqërore që kërkon vullnet, konsistencë dhe guxim institucional.
Kryetari Sadushi theksoi afërsinë mes kuadrit ligjor shqiptar dhe atij gjerman, si një referencë e rëndësishme në praktikën gjyqësore, dhe prezantoi arritjet konkrete të Gjykatës së Lartë: uljen e backlog-ut, rritjen e cilësisë së vendimeve dhe transparencës, të gjitha të reflektuara në rritjen e besimit të publikut, veçanërisht në kontekstin e procesit të integrimit në BE.
Në cilësinë e Kryetares së Fondacionit IRZ, zj. Kramme shprehu gjithashtu interes për bashkëpunimin me Gjykatën e Lartë dhe funksionimin e platformës JUDIX, një instrument modern dhe i dobishëm për juristët shqiptarë, i mundësuar falë mbështetjes së IRZ. Kryetari Sadushi shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje dhe vuri në dukje rëndësinë e vijimit dhe zgjerimit të projekteve të përbashkëta.
Në takim i ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri z. Karl Bergner, si dhe përfaqësues të tjerë të Fondacionit IRZ.
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al

Gjykata e Lartë



