Dialog dhe bashkëpunim ndërgjyqësor mes Gjykatës së Lartë të Shqipërisë dhe Holandës

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, priti mëngjesin e të mërkurës Kryetaren e Gjykatës së Lartë të Holandës zj. Dineke de Groot, në kuadër të përmbylljes së vizitës së saj zyrtare në Shqipëri. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, duke forcuar më tej dialogun ndërgjyqësor mes dy institucioneve.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Holandës vlerësoi progresin e bërë nga sistemi gjyqësor shqiptar, duke nënvizuar:
“Kjo ka qenë një vizitë shumë interesante. Shqipëria ka bërë hapa të dukshëm përpara, për të cilat duhet të ndiheni krenarë. Sigurisht, ju keni ende sfida përpara, por ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë dhe të kuptojmë më mirë se ku qëndrojnë nevojat tuaja.”

Nga ana e tij, z. Sadushi theksoi se Gjykata e Lartë është e fokusuar në disa drejtime kyçe, si menaxhimi i ngarkesës gjyqësore, rritja e transparencës dhe publikimit të vendimeve gjyqësore, digjitalizimi dhe menaxhimi i njohurive, si dhe mbështetja për juristët e rinj dhe këshilltarët ligjorë. Përvoja e Gjykatës së Lartë të Holandës, sipas tij, është një model i çmuar për përmirësimin e këtyre proceseve.
Në këtë kuadër, u diskutua edhe mundësia e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi, që do të përcaktonte prioritetet konkrete të bashkëpunimit. Një hap i tillë do të shërbente si bazë për projekte të përbashkëta dhe do të forconte partneritetin mes dy institucioneve.
Takimi përfshiu edhe diskutime me Njësinë e Shërbimit Ligjor, duke forcuar më tej dialogun dhe bashkëpunimin e mëtejshëm.


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al