“Pavarësia Gjyqësore nën Presionin Dixhital: Ndërtimi i Zërit Digjital të Drejtësisë”
Prof. Dr. Sokol Sadushi
Kryetar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë
Të nderuar shkëlqesi, presidentë, kolegë dhe miq,
Është nder të flas përpara këtij Rrjeti në një moment kur vetë ideja e pavarësisë gjyqësore po vihet në provë në mënyra të reja. Sfida jonë ka qenë gjithmonë ndikimi politik, ndërsa sot ka dalë në pah një drejtim i ri: presioni digjital, ritmi dhe vëllimi i narrativave online që gjykojnë gjyqtarin përpara se të ketë folur ligji.
Drejtësia sot ndodhet në një udhëkryq digjital. Rrjetet sociale janë shndërruar në agorën moderne: një hapësirë ku opinioni lëviz më shpejt se e vërteta. Ato u japin qytetarëve një zë, gjë që është progres. Por, njëkohësisht, nxisin zemërimin më shumë se arsyen, emocionin më shumë se provën.
Në Shqipëri, këto sfida globale marrin peshën e tyre specifike, sipas vendit. Pas viteve të zbatimit të procesit të vettingut, reformës dhe rindërtimit, gjyqësori ynë vazhdon të funksionojë brenda një peisazhi të brishtë të besimit publik. Lupa digjitale zmadhon çdo vonesë, çdo keqkuptim dhe çdo vendim të nxjerrë nga konteksti.
Para pak kohësh, gjyqësori ynë përjetoi një ngjarje tragjike: vrasjen e një kolegu të nderuar teksa po shpallte një vendim në sallën e gjyqit. Ndërsa autori do të përballet me drejtësinë, ajo që pasoi në rrjetet sociale ishte alarmante. U shfaq një valë komentesh të mbushura me zemërim dhe armiqësi. Rrjetet sociale përforcuan këto thirrje zemërimi e urrejtjeje, duke treguar fuqinë përthithëse dhe të rrezikshme të viralitetit.
Kjo ishte një tragjedi e paralajmëruar. Prej vitesh, gjyqtarët në Shqipëri janë objekt i fyerjeve, kërcënimeve dhe shpifjeve. Në vend që të mbrohet pavarësia gjyqësore, debati publik shpesh e ka minuar autoritetin e gjyqësorit, ka nxitur përçmim në vend të respektit dhe ka helmuar opinionin publik me një gjuhë urrejtjeje dhe paditurie. Zëra nga rrethet politike, media joprofesionale dhe individë pa njohuri juridike janë bërë komentues të përditshëm të vendimeve gjyqësore. Ata shpallin fajësi apo pafajësi, interpretojnë parime kushtetuese sipas komoditetit dhe zhvillojnë “gjyqe” televizive të improvizuara për të imituar sallat e gjyqit. Kjo nuk është liri shprehjeje: është shtrembërim publik i drejtësisë.
Për t’u përballur me këtë sfidë, drejtësia duhet të gjejë ‘zërin e saj digjital’. Në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë kemi punuar për të forcuar këtë komunikim përmes:
- Publikimit të përmbledhjeve të vendimeve kryesore përmes një buletini mujor dhe angazhimit të përgjegjshëm me median për raportim të saktë;
- Krijimit të një databaze kërkimi për studiues dhe avokatë, që u vjen në ndihmë të interesuara;
- Krijimit të një pranie të qartë e të besueshme në LinkedIn, Facebook dhe YouTube, ku ndajmë informacione të përditshme, zhvillime në praktikën gjyqësore dhe statistika mujore mbi punën tonë;
- Publikimit të raportit vjetor të veprimtarisë së Gjykatës dhe përgjigjes së menjëhershme ndaj kërkesave për informacion publik;
- Funksionimit të një Zyre të Komunikimit, e cila trajton të gjitha ankesat dhe kërkesat e përdoruesve të gjykatës, përfshirë ato për akses dhe informacion.
Megjithatë, kjo nuk mjafton. Para disa muajsh, mora një kërkesë për dorëheqje nga një gjyqtar i Gjykatës sime. Edhe pse ai nuk kishte asnjë konflikt objektiv, u ndje i detyruar të tërhiqej nga një çështje që përfshinte një media e cila e kishte sulmuar gjatë procesit të vetingut. Ai mendonte se çdo vendim, qoftë pozitiv apo negativ, do të interpretohej si i njëanshëm. Pala nuk kishte kërkuar përjashtimin e tij, por situata u rëndua më tej kur administratori i medias siguroi numrin e tij privat të telefonit dhe e kontaktoi për t’i thënë se artikujt negativë ishin fshirë. Gjyqtari e raportoi menjëherë këtë kontakt të paautorizuar në Zyrën tonë të Marrëdhënieve me Publikun. Fillimisht, u shqetësova mjaft. Të tilla situata mund të inkurajojnë manipulimin e përbërjes së trupave gjyqësorë përmes presionit mediatik, duke rrezikuar gjykimin jo nga një gjykatë të krijuar me ligj, por nga një gjykatë të krijuar sipas interesave të palëve. Pas reflektimit, kisha detyrimin të gjeja ekuilibrin mes administrimit të drejtësisë dhe garantimit që drejtësia të duket se po bëhet. Pavarësisht se paanshmëria e gjyqtarit ishte e pacënuar, qenia e gjyqtarit në atë çështje mund të krijonte dyshime të arsyeshme mbi objektivitetin, për shkak të sulmeve të mëparshme mediatike. Duke balancuar të drejtën e gjyqtarit për të ushtruar detyrën dhe perceptimin publik për paanësi, dhe i udhëhequr nga praktika e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, pranova kërkesën e tij për dorëheqje.
Ky rast është i izoluar, por praktika mund të sjellë situata të reja për shkak të kritikës online. Realiteti na detyron të zhvillojmë garanci institucionale. Këto mund të përfshijnë udhëzime etike mbi praninë digjitale të gjyqtarëve, si dhe një sistem mbështetës për ata që përballen me sulme të koordinuara online. Pavarësia gjyqësore sot, duhet të përfshijë edhe pavarësinë psikologjike nga presioni digjital.
Nëse shikojmë përpara, sfidat vetëm do të shtohen. Inteligjenca artificiale, deepfake-et dhe manipulimi algorik do të vënë në provë aftësinë tonë për të kontrolluar mënyrën se si drejtësia paraqitet online. Por parimi mbetet i njëjtë: besimi publik është mbrojtja jonë më e fuqishme dhe besimi nuk ndërtohet në heshtje; ai ndërtohet përmes kuptimit dhe komunikimit.
Në epokën digjitale, beteja për pavarësinë është zhvendosur nga salla e gjyqit në agorën digjitale, por detyra jonë mbetet e pandryshuar: të sigurojmë që e vërteta dhe arsyeja të triumfojnë mbi zhurmën dhe narrativën.
Ju faleminderit për vëmendjen!

Gjykata e Lartë