Të nderuar të pranishëm! Gjyqtarë, Këshilltarë ligjorë dhe Punonjës të Gjykatës së Lartë.
Për mua është një nder dhe një përgjegjësi e veçantë t’ju drejtohem sot, në këtë ceremoni institucionale, me rastin e marrjes së detyrës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë.
E konsideroj këtë moment jo thjesht si fillimin e një funksioni drejtues, por mbi të gjitha si marrjen përsipër të një përgjegjësie të lartë ndaj Kushtetutës, ligjit, qytetarëve dhe institucionit.
Në këtë ditë, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për zotin Sokol Sadushi, për kontributin e dhënë gjatë ushtrimit të detyrës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Kjo është më shumë dita e tij sesa e imja. Prandaj, sot do të flas më pak. Për komunikimin dhe bashkëpunimin tonë do të kemi kohë edhe në vijim.
Përfundimi i një mandati drejtues është një moment për të vlerësuar punën e kryer dhe gjurmën institucionale që mbetet. Kontributi i dhënë në shërbim të Gjykatës së Lartë është pjesë e historisë së saj, që nga ringritja dhe rifunksionimi, deri te përpjekjet për konsolidimin e rolit të saj në sistemin e drejtësisë. Për këtë kontribut, i shpreh mirënjohjen dhe respektin tim.
Marrja e kësaj detyre më ndërgjegjëson se drejtimi i Gjykatës së Lartë nuk është përgjegjësi individuale, por një detyrë që kërkon bashkëpunim institucional, dialog profesional, respekt të ndërsjelltë dhe përkushtim të përbashkët ndaj standardeve më të larta të drejtësisë. Puna e gjyqtarëve, e këshilltarëve ligjorë dhe e punonjësve të administratës është pjesë e pandashme e përmbushjes së misionit të këtij institucioni.
Në këtë kuadër, dëshiroj të ndalem edhe te situata që po kalon Tirana dhe vështirësitë që ajo krijon në jetën e përditshme, përfshirë ushtrimin e detyrave profesionale. Dua të shpreh vlerësimin tim për të gjithë ata që, edhe në rrethana të tilla, përpiqen dhe përmbushin me përgjegjësi detyrat e tyre.
Më vjen ndër mend një pyetje që i atribuohet Winston Churchill-it, gjatë Luftës së Dytë Botërore (pavarësisht nëse është autentike ose jo). Në kohën kur Londra përballej me bombardimet, ai pyeti: “A vazhdojnë të funksionojnë gjykatat?”.
Pavarësisht vështirësive të kohës, rëndësia e kësaj pyetjeje qëndron te mesazhi që ajo përcjell: funksionimi i drejtësisë nuk është thjesht një çështje e administrimit të përditshëm të punës, por një tregues i qëndrueshmërisë së shtetit dhe i respektimit të rendit kushtetues.
Edhe në rrethana të vështira, institucionet e drejtësisë duhet të vijojnë të përmbushin misionin e tyre. Ju jeni përfaqësuesit e shtetit. Kjo kërkon jo vetëm përgjegjësi dhe përkushtim nga ata që punojnë në këto institucione, por edhe vëmendje ndaj kushteve konkrete në të cilat ushtrohet detyra. Prandaj, edhe një herë dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për të gjithë Ju që, edhe përballë vështirësive të përditshme, përpiqeni dhe përmbushni me përgjegjësi detyrimet tuaja profesionale.
E kuptoj se pas çdo dite pune qëndrojnë edhe përpjekje personale, vështirësi në lëvizje dhe përgjegjësi familjare, të cilat meritojnë vëmendje dhe mirëkuptim. Për këtë arsye, e konsideroj pjesë të përgjegjësisë që, brenda kuadrit ligjor dhe mundësive organizative, të vlerësohen zgjidhje të arsyeshme për lehtësimin e vështirësive objektive, pa cenuar funksionimin e Gjykatës dhe përmbushjen e misionit të saj.
Njëkohësisht, besimi i publikut ndërtohet përmes cilësisë së vendimmarrjes, arsyetimit të qartë dhe të qëndrueshëm gjyqësor, administrimit efikas të proceseve dhe përgjegjësisë institucionale. Këto objektiva nuk arrihen vetëm përmes deklarimeve, por mbi të gjitha përmes punës së përditshme, standardeve të larta profesionale dhe përkushtimit të secilit në ushtrimin e funksionit të vet.
Në përfundim, dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që kontribuojnë çdo ditë në veprimtarinë e Gjykatës së Lartë. Shpreh bindjen se, përmes përgjegjësisë individuale, bashkëpunimit profesional dhe respektit për rolin e secilit, do të vijojmë të punojmë për një drejtësi të pavarur, cilësore dhe të besueshme.
Zoti Sadushi, ju falenderoj për kontributin tuaj institucional dhe ju uroj suksese në vijim.
Për mua, marrja e kësaj detyre është, para së gjithash, një angazhim për të shërbyer me integritet, për të respektuar Kushtetutën dhe ligjin dhe për të kontribuar në forcimin e autoritetit të Gjykatës së Lartë. Përmbushja e këtij misioni kërkon punë të përditshme, përgjegjësi dhe besimin se standardet e drejtësisë mbrohen më së miri kur secili prej nesh përmbush me profesionalizëm dhe ndershmëri detyrën që i takon.
Ju falenderoj për praninë dhe vëmendjen tuaj dhe ditë mbarë!

Gjykata e Lartë