Fjala e mbajtur nga Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Sokol Sadushi, në takimin me temë KUJTESË – HISTORI – DREJTËSI, 10 maj 2022

KUJTESË – HISTORI – DREJTËSI

 

Faleminderit që jeni të pranishëm sot në këtë ditë të veçantë për drejtësinë shqiptare. Unë do ta quaja një takim mes miqsh, sepse të tillë e bëjnë jo vetëm pjesëmarrësit, por edhe tema e përzgjedhur. 10 maji i vitit 1913 na sjellë në vëmendje të gjithëve miratimin e aktit themelor që i shërbeu ngritjes së sistemit të drejtësisë shqiptare, por edhe krijimit të Gjykatës së Diktimit, si instanca më e lartë rishikuese, që në 109 vite do emërtohej si Gjykata e Lartë, më pas si Gjykata e Kasacionit dhe tash si Gjykata e Lartë e Republikës. Kjo ditë e shënuar, veç të tjerave, ka dhe edhe dimensionin e saj historik, që na ndihmon ne gjyqtarëve të kujtojmë, të reflektojmë, por edhe të synojmë për t’i dhënë publikut drejtësinë e munguar.

Mënyra se si jemi organizuar në ditën e sotme është një xhest simbolik, por kuptimplotë për të kujtuar ata që për më shumë se një shekull kontribuan në ngritjen e drejtësisë shqiptare, pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme me të cilat u ndeshën dhe që lidheshin edhe me brishtësinë e shtetit shqiptar. Ndonjë prej tyre, për fat të keq, momentalisht mund të mos njihet ende, madje as emrat nuk u gjenden, disa të tjerë mbetën anonim, për shkak se ishin të padëshiruar nga regjimi politik, ashtu si, fatkeqësisht, jo pak prej tyre u përndoqën dhe patën një fund tragjik. Sidoqoftë, ata janë që të gjithë aty, në dokumentet që ruhen në arkiva shtetërore apo familjare dhe detyrimi ynë është t’i kërkojmë, t’i zbulojmë dhe t’i evidentojmë pa harruar askënd. Na takon të gjithëve Ne, t’i risjellim në kujtesë dhe t’i vlerësojmë për atë që kanë bërë, qoftë kjo e drejtë apo e gabuar. Historia është gjykuesi më i mirë, kur bazohet në fakte dhe jo në perceptime personale.

Ne nuk marrim përsipër të gjykojmë, por thjesht përpiqemi t’i japim atyre një vend në historinë e gjyqësorit shqiptar. Nëse ky vend që ata do të kenë në historinë shumëvjeçare të drejtësisë shqiptare është i merituar ose jo, le ta vlerësojë secili, sipas botëkuptimit të tij. Pavarësisht vendit që u takon këtyre gjyqtarëve në histori, na duhet ta pranojmë se falë punës dhe sakrificave të tyre, sot jemi mbledhur për të kujtuar një datë që shënon më shumë se një shekull drejtësi shqiptare.

Dje, në takimin e organizuar me rastin e ditës kombëtare të drejtësisë u ndalëm gjatë tek sfidat e drejtësisë, të cilat kërkojnë masa komplekse, por që masat të japin rezultatet e pritshme duhet që ato t’i përshtaten realitetit historik, social dhe politik të një vendi.

Ajo që nxjerr në pah historia e drejtësisë shqiptare është se paqendrueshmëria politike dhe sociale kanë ndikuar tek drejtësia, e cila nga ana e saj nuk i’a doli të ravijëzojë një profil të saj tërësisht të pavarur nga këto dy faktorë. Drejtësia është aq e pavarur dhe e arrirë, sa është edhe vetë shoqëria ku ajo funksionon. Prandaj, historia dhe kujtesa duhet të na shërbejnë për të mos përsëritur gabimet e të shkuarës dhe për t’u përmirësuar sa mundemi.

Çdo popull ka pjesë të historisë së tij që mund të mos e bëjnë të ndihet aq krenar sa do dëshironte, por kjo nuk do të thotë që të mos kesh kujtesë. Krenaria e një shoqërie matet edhe me aftësinë që ka për të dalë mbi veten dhe për të reflektuar. Madje kjo kërkon që të kesh një vetëdije më të lartë dhe forcë më të madhe.

Historia e drejtësisë shqiptare dhe, në veçanti ajo e Gjykatës së Lartë shqiptare nuk fillon sot. Ajo fillon që me 10 majin e vitit të largët 1913. Nëse Ne krenohemi sot që jemi pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm që feston 109 vjetorin e krijimit është edhe fal kontributit që gjithsecili ka dhënë për funksionimin e tij. Prandaj, jemi ndjerë të obliguar për të rikujtuar historinë e Gjykatës së Lartë, nëpërmjet një botimi të parë të këtij lloji, i cili nuk është ende i plotë dhe as mund të quhet shterues, por veçse shërben si një fillim mjaft i mirë për t’i dhënë një vend në historinë e drejtësisë atyre që u përpoqën të krijojnë jurisprudencën shqiptare. Kritikat mbi cilësinë apo përshtatshmërinë e kësaj jurisprudence nuk mund të zbehin rolin e saj, të parë në kontekstin kohor. Nihilizmi nuk i shërben kujtesës historike dhe ardhmërisë së një kombi.

Ky kontribut modest do të plotësohet në vijim me materiale të tjera historike, pa pretenduar të jetë një studim i mirëfillët për historinë e drejtësisë shqiptare, e cila kërkon një angazhim më të madh e më serioz nga studiuesit e së drejtës. Disa prej tyre sot i kemi të pranishëm dhe jam i sigurtë se do të na ndihmojnë me kontributin dhe vlerësimet e tyre për të vijuar më tej.

Në referim të titullit që kemi zgjedhur për eventin e sotëm, “Kujtesë – Histori – Drejtësi”, nuk do të mjaftonte kujtesa dhe historia e krijimit dhe e veprimtarisë së Gjykatës së Lartë, pa drejtësinë. Sot po prezantojmë edhe një tjetër botim, jo aq të veçantë sa i pari, por ndoshta shumë më i dobishëm për praktikantët e së drejtës. Ndër vite, Gjykata e Lartë ka botuar përmbledhje të vendimeve unifikuese si një mënyrë për të përhapur vendimmarrjen e saj më të rëndësishme. Pas ndryshimeve që solli reforma në drejtësi e vitit 2016, vendimet njësuese kaluan si një atribut i trupës gjyqësore me 5 gjyqtarë, ndërkohë që ndryshimet e tyre do vijojnë të jenë kompetencë e Kolegjeve të Bashkuara. Gjithashtu, është e pranuar edhe nga Kushtetuta se praktika gjyqësore jo vetëm njësohet, por edhe zhvillohet. Pikërisht zhvillimi i kësaj praktike gjyqësore, nëpërmjet qëndrimeve konseguente e të pandryshueshme lehtësisht dhe që shmangin konfuzionet, realizohet nëpërmjet vendimeve të dhëna nga trupa me tre gjyqtarë e secilit kolegj të Gjykatës së Lartë.

Për këtë arsye, u përzgjodh një numër vendimesh të cilat sjellin risi si dhe konsolidojnë qëndrimet e vendosura më parë për çështje thelbësore, pavarësisht nëse janë apo jo të emërtuara si vendime njësuese, që të përmblidhen në një botim të veçantë. Kështu, vendimet e trupave gjyqësore të kolegjeve të Gjykatës së Lartë, të dhëna gjatë 5 viteve të fundit, duke marrë për referencë vitin e ndryshimeve thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe legjislacionit procedural e material në vend, gjenden të përfshirë në këtë botim.

Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e këtij botimi janë edhe disa nga vendimet më të spikatura të GJEDNJ, të cilat janë relevante për çështjet juridike, me të cilat përballet sot sistemi i drejtësisë.

Nuk dëshiroj të zgjatem më shumë, pasi nuk dua të heq kërshërinë tuaj për botimet e përgatitura, të cilat nuk do të realizoheshin pa kontributin e çmuar të Këshillit të Evropës, i cili është një nga partnerët më seriozë dhe të besuar të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Tashmë, Gjykata e Lartë ka përcaktuar disa drejtime të bashkëpunimit me këtë organizatë prestigjoze dhe pret me kënaqësi dhe padurim realizimin e tyre.

Të dy këto botime nuk do të arrinim t’i realizonim brenda një periudhe të shkurtër kohore, por edhe në cilësinë që paraqet forma dhe përmbajtja e tyre, nëse në krye të kësaj pune nuk do angazhohej me përgjegjshmëri dhe përkushtim Drejtorja e Kabinetit, znj. Arta Vorpsi së bashku me grupin e punës të ngritur për këtë qëllim. Një falenderim i posaçëm për botimet i takon dy sektorëve të Gjykatës, Qendrës së Dokumentacionit, e cila megjithëse strukturë e sapokrijuar po orientohet mjaft mirë drejt nevojave që ka Gjykata e Lartë për të përçuar vendimmarrjen e saj, si dhe Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë për mbledhjen e materialeve arkivore pranë Arkivit të Shtetit. Faleminderit gjithashtu shtëpisë botuese për cilësinë e punës së kryer.

Ju faleminderit të gjithëve dhe lexim të këndshëm!

Gëzuar 10 majin, ditën e drejtësisë.

Sokol Sadushi

Zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë