Dialogu gjyqësor si themeli i mbrojtjes së të drejtave - Strasburg mars 2026

Tryezë e përbashkët e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

 

Dialogu gjyqësor si themeli i mbrojtjes së të drejtave

Fjalë hapëse nga z. Sokol Sadushi
Kryetar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë

 

Shkëlqesia Juaj, President Guyomar,

Gjyqtarë të nderuar të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,

Kolegë të nderuar,

Sot qëndrojmë në këtë godinë madhështore, e cila mishëron arkitekturën e përkushtimit të Evropës ndaj dinjitetit njerëzor, si partnerë në një dialog kushtetues të jashtëzakonshëm që ka transformuar kontinentin tonë.

Marrëdhënia midis kësaj Gjykate dhe gjykatave më të larta kombëtare shpesh përshkruhet në terma hierarkikë: Strasburgu mbikëqyr, gjykatat kombëtare zbatojnë, zhvillojnë praktika të reja, testojnë parime, një marrëdhënie që i ngjan një vallëzimi të përhershëm tangoje. Por, ndërsa përfshihemi në këtë vallëzim, ajo që ndodh në të vërtetë është një dialog mes të barabartëve, të përkushtuar ndaj një qëllimi të përbashkët. Një barazi që nuk e mohon autoritetin përfundimtar interpretues të kësaj Gjykate, por që e kupton atë si autoritet të ushtruar përmes arsyetimit dhe forcës së argumentit, e jo përmes hierarkisë formale.

Me adoptimin e Protokollit nr. 16 të Konventës, ky dialog njohu një forum të ri, duke u dhënë juridiksioneve më të larta kombëtare mundësinë për të kërkuar opinione këshillimore mbi çështje parimore që lidhen me interpretimin dhe zbatimin e të drejtave të Konventës në çështje konkrete në shqyrtim. Kështu u institucionalizua një hapësirë shkëmbimi argumentesh dhe perspektivash, një takim mendjesh në shërbim të koherencës dhe efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si në rendet juridike kombëtare ashtu edhe në atë evropian.

Dialogu i gjyqtarëve shndërrohet kështu nga një strukturë vertikale ankimi në një rrjet bashkëpunimi dhe përgjegjësie të përbashkët, e cila është një shprehje e gjallë e parimit të subsidiaritetit, e solidaritetit juridik dhe e angazhimit kolektiv për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Subsidiariteti nuk është një mekanizëm mbrojtjeje për shtetet; ai është një thirrje për përgjegjësi më të lartë të gjykatave kombëtare për të garantuar standardet e Konventës.

E megjithatë, dialogu përmes vendimmarrjes nuk është gjithmonë i rehatshëm. Dhe as nuk mund të jetë. Kur Gjykata Evropiane konstaton shkelje në çështje shqiptare, siç ka ndodhur jo pak herë, ajo na vendos përpara një pasqyre që zbulon me qartësi mangësi në sistemin tonë, të cilat herë gjenden në legjislacion, herë në arsyetimin gjyqësor, herë në standardet e aplikuara. Ne nuk e shohim këtë si cenim të autoritetit tonë, por si pjesë të procesit të pjekurisë institucionale, sepse kjo pasqyrë na lejon të shohim përtej kritikës, drejt mundësisë së transformimit.

Njëzet e pesë vjet më parë, kur Shqipëria ratifikoi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjyqësori ynë po dilte nga dekada totalitarizmi. Vetë koncepti i të drejtave individuale të zbatueshme kundrejt shtetit ishte i huaj. Gjykatat ekzistonin për të zbatuar politikën shtetërore, jo për të kufizuar pushtetin shtetëror.

Sot, Gjykata e Lartë e Shqipërisë citon nenet e Konventës pothuajse në çdo vendim. Ne analizojmë proporcionalitetin, shqyrtojmë standardet e procesit të rregullt, kërkojmë arsyetim të mbështetur në prova dhe ligj. Ne shqyrtojmë ligjshmërinë e masave të paraburgimit, vlerësojmë kufizimet mbi pronën, testojmë arsyetimin e gjykatave më të ulëta dhe garantojmë zbatimin e njëtrajtshëm të ligjit nëpërmjet vendimmarrjes sonë. Jurisprudenca e kësaj Gjykate ka riformësuar rrënjësisht kulturën tonë gjyqësore.

Jemi të ndërgjegjshëm që ky dialog është reciprok. Ndërsa ne mësojmë nga Strasburgu, edhe kjo Gjykatë përfiton nga përvoja e gjykatave kombëtare. Ne e njohim kontekstin vendor në mënyra që asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk mund t’i zotërojë plotësisht. Ne përballemi me ngarkesa të jashtëzakonshme çështjesh, me sfida të tranzicioneve institucionale dhe me kompleksitetin e pajtimit të vlerave kushtetuese brenda një realiteti të caktuar juridik. Kur shpjegojmë kontekstin qëllimi nuk është të justifikojmë shkeljet, por të sqarojmë realitetin specifik, gjë e cila mund të ndikojë në pasurimin e jurisprudencës së GJEDNJ. Ne ndihmojmë në kalibrimin e standardeve, në mënyrë që ato të mbeten kërkuese, por njëkohësisht realiste; të jenë parimore, por njëherazi pragmatike.

Dialogu i sotëm do të fokusohet në çështje të një natyre të ngutshme për sistemin tonë: paraburgimi, masat pasurore dhe cilësia e arsyetimit gjyqësor. Këto janë fusha ku liria dhe prona janë në peshore dhe ku vendimet tona ndikojnë drejtpërdrejt jetën e individëve. Ne vijmë për të ndarë realitetet e procedimeve penale komplekse në një vend që ende po konsolidon institucionet e shtetit të së drejtës në kuadër të reformave strukturore. Vijmë për të dëgjuar, për të reflektuar dhe për t’u angazhuar që standardet e artikuluara këtu të bëhen pjesë organike e praktikës sonë gjyqësore. Gjykata e Lartë ka një rol thelbësor në harmonizimin e jurisprudencës kombëtare me atë të kësaj Gjykate, duke siguruar që vendimet e Strasburgut të mos mbeten deklarative, por të reflektohen menjëherë në vendimmarrjen tonë.

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk është një imponim i huaj mbi të drejtën shqiptare. Ajo është pjesë e rendit tonë kushtetues, detyruese për çdo institucion dhe e kërkueshme nga çdo individ. Prandaj, dialogu që zhvillojmë sot nuk është midis gjyqtarëve shqiptarë dhe gjyqtarëve evropianë. Është një bisedë midis gjyqtarëve evropianë, dallimi mes tyre është se disa ulen në Strasburg, të tjerë në Tiranë, por kanë të përbashkët shërbimin ndaj të drejtave të njeriut.

Kjo vizitë shënon një moment të veçantë për ne. Viti 2026 përkon me 10-vjetorin e Reformës në Drejtësi, e cila solli ndryshime thelbësore kushtetuese dhe ligjore që riformuluan sistemin tonë të drejtësisë. Po ky vit shënon edhe përvjetorin e 6-të të riformatimit të Gjykatës së Lartë. Në vitin 2019, Gjykata e Lartë mbeti me vetëm një gjyqtar në detyrë dhe me një stok prej rreth 36.000 rekursesh në pritje. Në atë kohë, parashikimet publike flisnin për dekada pritjeje. Megjithatë, përmes një angazhimi të jashtëzakonshëm institucional dhe me një përbërje të reduktuar për një periudhë të gjatë, Gjykata ka dhënë në pesë vitet e fundit rreth 40.000 vendime, duke reduktuar backlogun me 61%, në 14.081 çështje. Vetëm në vitin 2025 janë dhënë 6.876 vendime. Kjo nuk ishte thjesht një sfidë administrative; ishte një përpjekje për të rikthyer besimin në drejtësi dhe për të shmangur rrezikun e shkeljeve sistemike të së drejtës për një proces të rregullt brenda një afati të arsyeshëm.

Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, Evropa vendosi që kurrë më shtetet të mos lejoheshin të cenonin me pandëshkueshmëri dinjitetin e qytetarëve të tyre. Konventa ishte shprehja juridike e atij angazhimi moral. Kjo Gjykatë është kujdestarja e saj institucionale; gjykatat e larta kombëtare janë zbatueset e saj të përditshme. Ne jemi të nderuar të jemi pjesë e këtij sistemi. Jemi mirënjohës për udhëzimin dhe për standardet e larta që kjo Gjykatë ka artikuluar ndër vite. Dhe jemi të vendosur që brezi i ardhshëm i gjyqtarëve shqiptarë të trashëgojë institucione më të forta, jurisprudencë më të qartë dhe mbrojtje më efektive të të drejtave se ajo që ne kemi gjetur.

Dialogu vazhdon. Le ta bëjmë atë të denjë për të drejtat që kërkojnë përherë mbrojtje si dhe për besimin dhe pritshmëritë që qytetarët kanë ndaj nesh.

Ju faleminderit!