Buletini tematik nr.3 - "Për mbrojtjen e pronësisë"

Legjitimimi i paditësit për kërkimin e sendit (Fjalë kyçe: Kontratë shitje, privatizim banese shtetërore, autentifikim nënshkrimi)

vendimin nr.00-2023-3013(463), datë 13.07.2023, KCGJL vlerëson se, edhe pse kontrata e shitjes së sendit të paluajtshëm nuk është bërë me akt noterial, ajo është vërtetuar nga noteri me autentifikimin-nënshkrimin, si kontratë shitje tip e nxjerrë në bazë dhe në zbatim të ligjit specifik, sipas formës së parashikuar nga ligji nr.7512/1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”. Në këto kushte, Kolegji çmon se paditësi legjitimohet në ngritjen e kësaj padie, pasi në momentin e paraqitjes së padisë ka pasur zotësinë për të vepruar dhe disponon titullin që e legjitimon për ngritjen e kërkesëpadisë. Paditësi ka interes të ligjshëm, ndërsa pala e paditur që e posedon sendin objekt gjykimi nuk ka paraqitur asnjë lloj dokumenti për të vërtetuar se me çfarë titulli e mban atë. Kolegji vëren se është anashkaluar fakti i vërtetimit noterial të kontratës së privatizimit të sendit, duke mos u arsyetuar vlefshmëria e tij dhe duke mos marrë për bazë praktikën e njohur të asaj kohe për privatizimin e pasurisë shtetërore. 

Natyra e padisë mohuese (Fjalë kyçe: Posedim i sendit, padi mohuese, titull pronësie)

vendimin nr.00-2023-469(58), datë 15.02.2023, KCGJL çmon se padia mohuese është padia e pronarit që pengohet në ushtrimin e pjesshëm të tagrave të tij të pronësisë, posaçërisht të gëzimit dhe posedimit të sendit, por pa ia hequr atij këtë posedim. Në padinë e rivendikimit dhe në padinë mohuese paditësi ka detyrimin të provojë se është pronar i rregullt i sendit objekt gjykimi me titull të ligjshëm pronësie. Për padinë mohuese karakteristikë është kryerja e veprimeve të paligjshme e të padrejta nga i padituri, duke shqetësuar pronarin në gëzimin e sendit. 

Padia e rivendikimit për pasurinë objekt legalizimi (Fjalë kyçe: Lirim e dorëzim prone, kthim trualli, kompensim, proces legalizimi)

vendimin nr.00-2022-3338(385), datë 19.10.2022, për lirimin dhe dorëzimin e një sipërfaqe trualli, KCGJL argumenton se, procesi i legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të ndërtimeve pa leje synon ligjërimin e ndërtimeve të kryera në kundërshtim me planet urbanistike dhe përbën një kufizim mbi të drejtën e pronësisë. Cilido qoftë subjekti pronar i parcelës ndërtimore, atij nuk do t’i kthehet trualli, por do të kompensohet. KCGJL evidenton se, me ndryshimet e ligjit për legalizimet, tashmë rregullohet mënyra dhe kriteret për shpërblimin e pronarëve privatë, si dhe masa e kompensimit që do t’i jepet pronarit të ligjshëm.

Padia e rivendikimit për pasuritë në bashkëpronësi (Fjalë kyçe: Lirimi e dorëzimi i sendit, send individualisht i përcaktuar, send në bashkëpronësi)

vendimin nr.00-2022-2058(315), datë 15.09.2022, ku kërkohet lirimi e dorëzimi i sendit, pushimi i cenimit, pagimi i frutave dhe shpërblimi i dëmit, KCGJL ka arsyetuar se, kur pronësia mbi sendin individualisht të përcaktuar u përket në të njëjtën kohë disa personave, padia mund të ngrihet nga të gjithë bashkëpronarët ose nga secili prej tyre, kundër çdo poseduesi/mbajtësi. Për pretendimet që rrjedhin nga padia mohuese, nuk kërkohet që i padituri të ketë vepruar me faj, por mjafton vetëm fakti i cenimit (elementi objektiv). Në këtë këndvështrim, në të dyja rastet, legjitimiteti pasiv i përket personit, i cili konsiderohet posedues faktik i pasurisë së palës paditëse. 

Ligjshmëria e titullit të pronës si kusht për padinë e rivendikimit (Fjalë kyçe: Njohje e titullit të pronësisë, lirim e dorëzim sendi)

vendimin nr.00-2022-1903(305), datë 13.09.2022, për detyrimin e palës së paditur që të lirojë dhe dorëzojë sendin, KCGJL vlerëson se ligjshmëria e titullit të pronësisë është shumë e rëndësishme në një proces për lirimin dhe dorëzimin e sendit sepse vetëm pasi gjykata të konstatojë se pronari gëzon një titull të ligjshëm pronësie, mund të urdhërojë detyrimin e poseduesit të paligjshëm që të lirojë dhe dorëzojë sendin. Në këto kushte, gjykata duhet të kryejë një hetim të plotë e të gjithanshëm mbi ekzistencën dhe vlefshmërinë e titullit të pronësisë së paditësit mbi sendin.

Legjitimiteti aktiv i paditësit për pushimin e cenimit (Fjalë kyçe: Legjitimitet aktiv, shpronësim publik)

vendimin nr.00-2022-1566(268), datë 29.06.2022 KCGJL vëren se nuk rezulton i administruar dhe i dokumentuar në dosjen gjyqësore asnjë akt administrativ individual, vendim i Këshillit të Ministrave, me të cilin paditësi të jetë zhveshur nga pronësia për qëllime publike sikurse ka konkluduar gjykata. Përderisa nuk është zhveshur nga pronësia, paditësi mund të ushtrojë të gjitha të drejtat e pronarit për mbrojtjen e pronës kundrejt të tretëve. Për bazueshmërinë në ligj të padisë së pushimit të cenimit të pronësisë, gjykata duhet të shqyrtojë legjitimitetin aktiv të paditësit dhe ligjshmërinë e titullit të pronësisë dhe më tej të vlerësojë themelin e pretendimeve. 

Vlefshmëria e titullit të pronësisë, kusht për kërkimin e sendit (Fjalë kyçe: Kontratë shitje, kushtet e kontratës, vlefshmëri e titullit të pronësisë)

vendimin nr.00-2022-1280(245), datë 15.06.2022, për lirimin dhe dorëzimin e sendit dhe njohjen e bashkëpronësisë, KCGJL çmon se, nuk mund të arrihet në përfundimin se ekziston një kontratë e vlefshme për kalimin e pronësisë nga shitësi tek blerësi, pa pasur një përcaktim të qartë dhe të saktë mbi objektin e kontratës së shitjes, si një nga kushtet e nevojshme për vlefshmërinë e kontratës në mbështetje të nenit 663 të Kodit Civil. 

Kushtet kumulative për padinë mohuese (Fjalë kyçe: Padia mohuese, pushim i cenimit të pronës)

vendimin nr.00-2022-1086(227), datë 08.06.2022, për lirimin dhe dorëzimin e sendit, KCGJL çmon se, pranimi i padisë mohuese kërkon domosdoshmërisht plotësimin e tre kushteve kumulative: (i) vërtetimin nga paditësi se ai është pronar i sendit për të cilin pretendon se po cënohet nga i padituri; (ii) vërtetimin se i padituri nuk ka asnjë të drejtë mbi sendin në pronësi të paditësit dhe (iii) vërtetimin se pavarësisht se paditësi është pronar i sendit, si dhe pavarësisht se i padituri nuk ka asnjë të drejtë mbi këtë send, i padituri me veprimet e tij e cënon paditësin në mënyrë të paligjshme në pronësinë e sendit të tij. 

Vlefshmëria e titullit të pronësisë, kusht për kërkimin e sendit (Fjalë kyçe: Posedues i paligjshëm, titull pronësie)

vendimin nr.00-2022-1155(149), datë 20.04.2022, për detyrimin e palës së paditur që të lirojë dhe dorëzojë sendin, KCGJL vlerëson se ligjshmëria e titullit të pronësisë është shumë e rëndësishme në një proces për lirimin dhe dorëzimin e sendit sepse vetëm pasi gjykata të konstatojë se pronari gëzon një titull të ligjshëm pronësie, mund të urdhërojë detyrimin e poseduesit të paligjshëm që të lirojë dhe dorëzojë sendin. Në këto kushte, gjykata duhet të kryejë një hetim të plotë e të gjithanshëm mbi ekzistencën dhe vlefshmërinë e titullit të pronësisë së paditësit mbi sendin.

Mungesa e legjitimitetit aktiv të paditësit pjesërisht pronar (Fjalë kyçe: Lirim e dorëzim sendi, cenim pronësie)

vendimin nr.00-2021-1691(115), datë 25.10.2021, për lirimin dhe dorëzimin e truallit, KCGJL vlerëson se kur paditësi nuk është më pronar i të gjithë sipërfaqes së truallit dhe një pjesë e tij posedohet ligjërisht nga i padituri. Për pasojë, atij i mungon legjitimiteti aktiv në ngritjen e padisë së rivendikimit. 

Shënim: Duke marrë parasysh që faqja e Gjykatës së Lartë është ende në përpunim, linqet e vendimeve përkatëse nuk janë bashkëlidhur materialit të mësipërm.