Buletini tematik nr. 6 - Gjyqtari i seancës paraprake

Kthimi i çështjes për hetime të mëtejshme (Fjalë Kyçe: Gjyqtar i seancës paraprake, plotësim hetimi,vendim pafajësie)

Në vendimin nr.115(53), datë 18.02.2022, KPGJL arsyeton se, ligji procedural penal nuk parashikon në asnjë dispozitë ligjore të drejtën e gjykatës së themelit për të kontrolluar kryerjen e veprimeve hetimore nga prokuroria dhe aq më pak kthimi i çështjes për hetime të mëtejshme. Një kompetencë e tillë me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale i përket gjyqtarit të seancës paraprake, i cili ka të drejtë të urdhërojë prokurorin për plotësimin e hetimeve duke përcaktuar dhe drejtimin e tyre, referuar nenit 332, shkronja “ç”, të KPP. Gjykata e themelit nuk verifikon veprimet hetimore por nëse vlerëson se nuk ka prova të mjaftueshme në mbështetje të akuzës merr vendim pafajësie. 

 

Gjyqtari i seancës paraprake në cilësinë e gjyqtarit të themelit (Fjalë Kyçe: Gjyqtar i seancës paraprake, provueshmëria e akuzës)

Në vendimin nr.1151(183), datë 24.06.2022, KPGJL u shpreh se përdorimi i standardeve provuese të gabuara në gjykimin e kërkesës për dërgimin e çështjes për gjykim apo për pushimin e çështjes, sipas neneve 332/dh/a dhe 328/1 të KPP, pozicionon gjyqtarin e seancës paraprake në cilësinë e gjyqtarit të themelit, kur shprehet lidhur me provueshmërinë e akuzës, duke konsideruar vendimmarrjen në kushtet e paligjshmërisë. 

Kompetenca e veçimit të çështjeve të të njëjtit procedim penal (Fjalë Kyçe: Gjyqtar i seancës paraprake,kompetencë, cështje të veçuara)

Në vendimin nr.763, datë 05.07.2022, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, KPGJL konstatoi se çështjet e veçuara të të njëjtit procedim penal nga gjyqtari i seancës paraprake duhet të gjykohen prej tij dhe për rrjedhojë çështja të vijojë gjykimin tek po ky gjyqtar. 

Afati i paraburgimit të fazës së gjykimit (Fjalë Kyçe: Gjyqtar i seancës paraprake, afat paraburgimi, fazë gjykimi)

Në vendimin nr.1235(261), datë 13.10.2022, KPGJL rithekson se periudha e afatit të paraburgimit të konsumuar gjatë fazës të trajtimit të çështjes para gjyqtarit të seancës paraprake, kur prej këtij të fundit është vendosur dërgimi i çështjes në gjyq, konsiderohet pjesë e afatit të paraburgimit të fazës së gjykimit (në themel, në shkallë të parë) të çështjes. 

I pandehuri nuk lejohet të bëjë rekurs ndaj vendimit të apelit për çështje të seancës paraprake (Fjalë kyçe:Vendimarrje e gjyqtarit të seancës paraprake, mjet ankimi, dispozita të veçanta).

Në vendimin nr.469(8), datë 16.01.2023, KPGJL vendos se të pandehurit nuk legjitimohen të paraqesin ankim/rekurs kundër vendimmarrjes së gjykatës së apelit, që ka ndryshuar pjesërisht vendimmarrjen e gjyqtarit të seancës paraprake të shkallës së parë për dërgimin e çështjes në gjyq, pasi ky mjet ankimi nuk është i parashikuar në dispozitat e posaçme të ligjit procedural penal. 

Kompetenca e gjyqtarit të seancës paraprake kur kërkohet plotësim hetimesh (Fjalë kyçe: Gjyqtar i seancës paraprake, plotësim hetimi, kërkesë zgjatje e afateve të paraburgimit)

Në vendimin nr.40, datë 17.01.2023, KPGJL thekson se kur gjyqtari i seancës paraprake disponon dërgimin e akteve prokurorit për “plotësimin e hetimeve”, sipas nenit 332/c të KPP, ai disponon edhe lidhur me kërkesat e palëve për zgjatjen e afateve të paraburgimit, të konsumuara për llogari të fazës së hetimeve paraprake, sipas nenit 263/1/b të KPP. 

Ndalimi i vlerësimit të provave nga gjyqtari i seancës paraprake (Fjalë kyçe: Gjyqtar i seancës paraprake, pushim akuze)

Në vendimin nr.94(23), datë 19.01.2023, KPGJL vendos se gjyqtari i seancës paraprake mund të pushojë akuzën, kur ekzistojnë rrethanat e parashikuara nga ligji, por nuk mund t’i hyjë vlerësimit dhe çmuarjes të provave, pasi kjo është karakteristikë e gjykimit të çështjes në themel. 

Shqyrtimi i kërkesës për pushimin e çështjes dhe caktimin e masës mjekësore (Fjalë kyçe: Gjyqtar i seancës paraprake, masë mjekësore, caktim i masës mjekësore, pushim gjykimi)

Në vendimin nr.00-2023-1333, datë 28.07.2023, KPGJL vlerëson se gjyqtari i seancës paraprake nuk mund të pushojë çështjen dhe caktojë masa mjekësore ndaj personit nën hetim, pasi një gjë e tillë duhet t`i kërkohet gjyqtarit të themelit nga prokurori. Në funksion të zgjidhjes së konfliktit të kompetencës, Kolegji çmon se gjyqtari i seancës paraprake duhet të kthejë çështjen tek prokurori për të bërë të mundur ushtrimin e ndjekjes penale përmes paraqitjes së kërkesës për gjykimin e çështjes dhe për caktimin e masës mjekësore. 

Shënim: Duke marrë parasysh që faqja e Gjykatës së Lartë është ende në përpunim, linqet e vendimeve përkatëse nuk janë bashkëlidhur materialit të mësipërm.