Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në përmbushje të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, zhvilloi të enjten mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi ecurinë e deritanishme të procedurës së verifikimit të kushteve ligjore për kandidatët e paraqitur për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 30.09.2024.
Gjatë fazës së verifikimeve, u konstatua se numri i kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore ka rënë nën pragun minimal të parashikuar prej tre kandidaturash. Në respekt të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, si dhe në zbatim të vendimit nr. 84/2024 të Gjykatës Kushtetuese që thekson rëndësinë e përtëritjes së rregullt të kësaj gjykate, një here në tre vjet, Këshilli vendosi si më poshtë:
1. Pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave për pozicionin vakant në Gjykatën Kushtetuese të shpallur më 30.09.2024.
2. Njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë, si organi që ka vënë në lëvizje procedurën, për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave.
Ky vendim bazohet në nenin 125 të Kushtetutës, nenin 7/c të ligjit nr. 8577/2000, nenin 218 të ligjit nr. 115/2016, si dhe në aktet nënligjore përkatëse që rregullojnë këtë proces. Vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, në seksionin e dedikuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
https://gjykataelarte.gov.al/sq/keshilli-i-emerimeve-ne-drejtesi/vendime-ked