GENTIAN MEDJA

Anëtar i Gjykatës së Lartë
 

Gentian Medja u lind në Shkodër, më datë 28.05.1978.  

Në vitin 2001 ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër duke marrë titullin “Jurist”. Në vitin 2002 ka vijuar studimet në Shkollën e Magjistraturës, në Tiranë, të cilat i ka përfunduar në vitin 2005 duke marrë titullin “Magjistrat”.  

Me dekret të Presidentit të Republikës, të datës 17.09.2004, është emëruar “Gjyqtar”, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2013, emërohet si Kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Prej Nëntorit të vitit 2013 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Paralelisht, për periudha të caktuara, është angazhuar në fushën e mësimdhënies në universitete publike dhe private, si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër në lëndën “E Drejtë e Procedurës Civile” si dhe në Shkollën e Arsimit të Lartë “Gjon Buzuku” në Shkodër, në lëndët “E drejtë Romake” dhe “E Drejtë e Procedurës Civile”.

Z. Medja ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës, në kuadrin e programit të trajnimit vazhdues, si dhe nga organizata të tjera brenda dhe jashtë vendit. Është angazhuar pranë Shkollës së Magjistraturës në programin e trajnimit vazhdues, në rolin e lehtësuesit dhe ekspertit. 

Me dekretin me Nr.13497, datë 07.03.2022 të Presidentit të Republikës, emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.