Zgjedhja dhe statusi i gjyqtarëve

Pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore në kuadër të reformës në drejtësi të vitit 2016, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi.

Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur, Presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me të paktën 13 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit. Një e pesta e gjyqtarëve në këtë gjykatë përzgjidhet mes juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë si avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, juristë të nivelit të lartë në administratën publike ose në fusha të tjera të së drejtës. Kjo qasje synon shkëputjen nga praktika e përfshirjes së politikës në procedurat e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, shndërrimin e saj në një gjykatë karriere, si dhe garanton gjithashtu ruajtjen e pavarësisë dhe përmirësimin e cilësisë së përbërjes së trupës gjyqësore, bazuar vetëm në meritat profesionale dhe etike personale të anëtarëve të saj.

Bazuar në këtë standard, një nga risitë e reformës në drejtësi të vitit 2016 ishte dhe mundësia që 3 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen nga Gjykata e Lartë, gjë që do t’i shërbejë miksimit të përvojës së gjyqtarëve me praktikantët e tjerë të së drejtës.

 

 

 

 

 

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte