REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 25.11.2021

NJOFTIM PËR MEDIAN

Zhvillimi dhe e ardhmja e një vendi varet plotësisht nga të rinjtë, aktivitetet që ata ndjekin, edukimin që marrin dhe mundësitë profesionale që arrijnë të shfrytëzojnë. Të bësh bashkë edukimin cilësor ligjor tek të rinjtë, së bashku me praktikën, sjell padyshim një formacion profesional të sistemit të drejtësisë për të ardhmen.

Një grup nxënësish të shkollës 9 vjeçare “Jeronim de Rada” në Tiranë, vizituan nga afër, të enjten, Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe ndoqën një Orë të Hapur diskutimi me gjyqtarët të cilët ushtrojnë detyrën e ndihmës magjistratit në Gjykatën e Lartë, për të diskutuar mbi gjithçka kanë interes mbi drejtësinë, gjyqësorin, ndarjen e pushteteve, e veçanërisht mbi Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili përmban rregullime të veçanta që kanë të bëjnë me përgjegjësinë penale të të miturve, procedurën e hetimit, ndjekjen penale, procesin gjyqësor, ekzekutimin e vendimit të dënimit penal, rehabilitimin ose të çdo mase tjetër për të miturin.

Pjesa më interesante, e cila mori vëmendjen dhe përkushtimin maksimal të nxënësve ishte improvizimi i një seance gjyqësore mbi një rast gjyqësor penal, ku ata u ndanë në rolin e gjyqtarit, prokurorit dhe avokatit.

Gjykata e Lartë mendon dhe i kushton rëndësi faktit se, përfshirja e paketave informuese dhe programeve rreth edukimit ligjor në shkollë, është një mekanizëm i cili synon të ulë ndjeshëm sjelljet negative tek të rinjtë duke parandaluar përfshirjen e tyre në aktivitete kriminale. Ky proces ndikon në përballjen e të rinjve me fenomenet sociale të përditshme, si përdorimi i lëndëve narkotike, përndjekjes së bashkëmoshatarëve, dhunës, vjedhjes, etj..

"Dita e Hapur në Gjykatën e Lartë", është konceptuar si një ditë dialogu mes nxënësve të të gjitha moshave, studentëve dhe gjyqtarëve. Gjatë kësaj dite gjyqtarët i përgjigjen me detaje çështjeve apo pyetjeve të shtruara nga të ftuarit, bëjnë një panoramë të sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe testojnë njohuritë e përgjithshme të nxënësve mbi sistemin sot dhe gjykatat.

Gjithashtu, nxënësve i’u mundësua edhe një vizitë nëpër ambientet e ndryshme të kësaj gjykate.

 
 
 
 
 
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte