Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore, çështjen administrative me nr. 30005-00674-00-2025 akti me palë; Paditës: H. M.,
I Paditur: Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë dhe Objekt: Prishjen e vendimit të caktimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi në shërbim dhe ricaktimin e masës së pensionit të rillogaritur atë sa herë ndryshon paga referuese dhe indeksohen pensionet që në datë 01.09.2008 dhe në vazhdim. Pagimin e të gjitha diferencave midis masës së pensionit që i takon dhe pensionit të dhënë, të cilat rezultojnë nga caktimi i gabuar i masës së pensionit nga mosrillogaritja e pensionit sa herë ka ndryshuar paga referuese dhe nga mosindeksimi i pensionit.
Kolegji Administrativ vlerëson se çështja duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga organi kompetent për ndryshimin e saj, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Baza ligjore për nisjen e kësaj procedure gjendet në nenin 481 të Kodit të Procedurës Civile dhe në nenin 62/a të ligjit nr. 49/2012. Këto dispozita i japin Kolegjit përkatës të Gjykatës së Lartë kompetencën për të nisur procedurën e njësimit ose të ndryshimit të praktikës gjyqësore, kur çështja konkrete paraqet nevojë për zgjidhje nga Kolegjet e Bashkuara.
Në rastin konkret, nevoja për dërgimin e çështjes për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara rrjedh nga katër arsye të lidhura ndërmjet tyre:
- së pari, nga përjashtimi i ligjit nr. 9418/2005 në një situatë ku e drejta kishte lindur gjatë kohës kur ky ligj ishte në fuqi;
- së dyti, nga fakti se neni 29 i ligjit nr. 10142/2009 nuk shprehet qartë për efekt prapaveprues të përgjithshëm dhe as për pazbatueshmërinë e ligjit nr. 9418/2005;
- së treti, nga nevoja për të arsyetuar vijimin e zbatimit të kufizimit të vjetër pas shfuqizimit të tij me ligjin nr. 9210/2004; dhe,
- së katërti, nga detyrimi i Gjykatës së Lartë për të kontrolluar ligjshmërinë e interpretimit të ligjit material, pa e zëvendësuar këtë kontroll me referim formal te praktika unifikuese.
Nevoja për ndryshim është e pjesshme. Ajo nuk prek tërësinë e vendimit unifikues nr.3/2016, por vetëm segmentet që kanë përcaktuar: zbatimin e ligjit nr. 8087/1996 për periudhën 01.01.1999 deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 10142/2009 edhe kur e drejta ka lindur gjatë kohës së ligjit nr.9418/2005; pazbatueshmërinë e skemës së ligjit nr. 9418/2005; mundësinë e rillogaritjes me efekt ulës; dhe zbatimin e kufizimit të vjetër të pensionit maksimal të pleqërisë mbi të gjithë masën e pensionit të parakohshëm.
Për këto arsye, Kolegji çmon se çështja nuk mund të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme juridike as duke anashkaluar vendimin unifikues nr. 3/2016 vetëm për rastin konkret, as duke e zbatuar atë në mënyrë mekanike. Rruga procedurale që garanton respektimin e fuqisë detyruese të praktikës së njësuar, sigurinë juridike dhe zbatimin efektiv të detyrave të lëna nga Gjykata Kushtetuese është dërgimi i çështjes përpara Kolegjeve të Bashkuara, me qëllim që ato të përcaktojnë nëse vendimi unifikues nr. 3/2016 duhet të ndryshohet, kufizohet ose saktësohet në pjesët që bien në tension me arsyetimin kushtetues të vendimit nr. 34/2025.
ÇËSHTJA JURIDIKE QË I SHTROHET KOLEGJEVE TË BASHKUARA
Në funksion të shqyrtimit të nevojës për ndryshimin e pjesshëm të praktikës gjyqësore të njësuar me vendimin unifikues nr. 3, datë 24.11.2016, Kolegji Administrativ çmon se Kolegjeve të Bashkuara duhet t’u shtrohen për zgjidhje këto çështje juridike:
1. Për ligjin e zbatueshëm në momentin e lindjes së të drejtës
A është në përputhje me parimin e sigurisë juridike, mbrojtjen e pritshmërive legjitime dhe standardet e jurisprudencës kushtetuese rregulli i njësuar me vendimin unifikues nr. 3/2016, sipas të cilit, për periudhën nga data 01.01.1999 deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 10142/2009, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi përllogaritet sipas ligjit nr. 8087/1996, të ndryshuar, edhe kur e drejta për përfitim ka lindur gjatë kohës kur në fuqi ishte ligji nr. 9418/2005, i ndryshuar me ligjin nr. 9481/2006?
Në këtë aspekt, a mund të interpretohet neni 29 i ligjit nr. 10142/2009 si bazë e mjaftueshme për mënjanimin e ligjit nr. 9418/2005 për periudhën kur ky ligj ka qenë në fuqi dhe kur subjektit i ka lindur e drejta për përfitim, në dritën e nenit 33 të ligjit nr. 9418/2005, nenit 37 të ligjit nr. 49/2012 dhe standardeve kushtetuese mbi sigurinë juridike dhe pritshmëritë legjitime?
2. Për zbatimin e kufizimit të vjetër të pensionit maksimal
A është në përputhje me parimin e sigurisë juridike rregulli i njësuar me vendimin unifikues nr. 3/2016, sipas të cilit kufizimi i nenit 11 të ligjit nr. 8087/1996 zbatohet mbi të gjithë masën e pensionit të parakohshëm, edhe për periudhën pas shfuqizimit të këtij kufizimi me ligjin nr. 9210/2004?
Këto çështje nuk shtrohen për të rivlerësuar në mënyrë abstrakte skemën ligjore të pensioneve suplementare dhe as për të vënë në diskutim në tërësi vendimin unifikues nr. 3/2016. Ato shtrohen vetëm për të përcaktuar nëse segmentet e mësipërme të praktikës së njësuar mund të vijojnë të zbatohen në kuptimin e tyre të deritanishëm, pas standardeve të vendosura nga Gjykata Kushtetuese, ose nëse kërkojnë ndryshim, kufizim apo saktësim nga Kolegjet e Bashkuara.
Për këto arsye, bazuar në nenin 481 të Kodit të Procedurës Civile dhe në nenin 62/a të ligjit nr. 49/2012, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vendosi:
1. Nisjen e procedurës për ndryshimin e pjesshëm të praktikës gjyqësore të njësuar me vendimin unifikues nr. 3, datë 24.11.2016, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
2. Dërgimin e çështjes për shqyrtim përpara Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
3. T’u shtrohen Kolegjeve të Bashkuara për zgjidhje çështjet juridike të formuluara në pikën 27 të këtij vendimi.

Gjykata e Lartë