Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe anëtarëve zëvendësues, si dhe të përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, zhvilloi ditën e enjte datë 10.07.2025, mbledhjen e radhës, sipas rendit të ditës të bërë publik në njoftimin e datës 04.07.2025.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave si edhe dokumentacionin e përgatitur nga relatorët lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidatët, vendosi:
1. T’i kërkojë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit sqarime të mëtejshme për të specifikuar në mënyrë të detajuar burimet financiare të ligjshme, që justifikojnë çdo pasuri të kandidatit z. Denar Biba.
2. Të shpallë vendimin në lidhje me kandidaturën e znj. Genta Tafa në datën 15.07.2025, ora 15.00.
3. Përfundimin e procedurës së verifikimit të z. Lulzim Hamitaj në vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, shpallur nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë në datën 11.12.2024, për shkak të tërheqjes së tij nga kandidimi .
Vendimet e plota dhe të zbardhura do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.