“Bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e drejtësisë” ishte tema e Tryezës së Rrumbullakët organizuar me mbështetjen e Fondacionit Slynn, Ambasadës Britanike në Tiranë dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë

13.02.2017

REPUBLIKA E SHQIPERISE

GJYKATA E LARTE

Zyra e Marrëdhënieve me MEDIAN dhe Publikun

Rr. “Ibrahim Rugova” Tirane ALBANIA

 

Tiranë, më 13.02.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

“Bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e drejtësisë” ishte tema e Tryezës së Rrumbullakët organizuar me mbështetjen e Fondacionit Slynn, Ambasadës Britanike në Tiranë dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.

Për dy ditë me radhë, Lordi Nicholas Phillips i Worth Matravers, ish-Kryetar i Gjykatës së Lartë të Britanisë së Madhe dhe anëtar i Dhomës së Lordëve, Sir David Latham, përfaqësues i Fondacionit Slynn dhe Z. Aaron Baker, profesor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Durham-it në Mbretërinë e Bashkuar, ekspert i të Drejtave të Njeriut, diskutuan me anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe ndihmësit ligjor të kësaj gjykate, mbi organizimin e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë në fushën e drejtësisë penale si dhe problematikat, teknikat, rregullimet ligjore që lidhen me gjykimin e çështjeve penale, kryesisht gjatë ekstradimeve.

Kryetari i Gjykatës së Lartë ka falenderuar shtetin Britanik për mbështetjen e vazhdueshme të sistemit të drejtësisë dhe atij gjyqësor në Shqipëri, duke vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me Fondacionin Slynn. Ky fondacion është i një profili të lartë në fushën e drejtësisë Britanike. Gjatë viteve të fundit bashkëpunimi me Gjykatën e Lartë të Shqipërisë ka konsistuar në ndihmë konkrete dhe këshilla të përshtatshme në kuadër të përmirësimit të sistemit gjyqësor dhe forcimin e shtetit ligjor.

Nga ana e tij, Sir David Latham, falenderoi Gjykatën e Lartë për gatishmërinë dhe bashkëpunimin gjatë implementimit të këtij projekti. Ai tha se vendet e Bashkimit Evropian kanë në vëmendjen e tyre mbështetjen e reformave në drejtësi për Shqipërinë, duke konfirmuar gjithashtu se Ambasada Britanike është duke u investuar për të ndihmuar edhe më tej institucionet e drejtësisë.

Item 1
 
 

IDA VODICA

Shefe e Marrëdhënieve me MEDIAN dhe Publikun

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte