REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 05.02.2021

NJOFTIM PËR MEDIAN

Zëvendës Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi ka pritur të premten, 05.02.2021, në një takim kortezie në Gjykatën e Lartë, Ambasadoren e Greqisë në Tiranë SH.S. Znj. Sophia Philippidou, i cila shoqërohej në këtë takim nga Znj. Valia Pentarvani, Keshilltare e Parë pranë Ambasadës.

Gjatë takimit, Zëvendës Kryetari i Gjykatës së Lartë e ka falenderuar Ambasadoren Greke për vizitën, duke shprehur vullnetin e tij për bashkëpunim në fushën e drejtësisë, e veçanërisht të gjyqësorit. Duke vlerësuar faktin e të qenurit vende fqinje, Z. Sadushi theksoi rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave, duke pasur parasysh rritjen e cilësive të vendimeve dhe rritjen profesionale të gjyqtarëve, në ato fusha që janë të ngjashme. Sipas tij, marrëdhënie të tilla me vende anëtare të Bashkimit Evropian, do t'i jepnin drejtësisë dhe gjyqësorit Shqiptar një ndihmë konkrete për të arritur nivelet e kërkuara në forcimin e shtetit të së drejtës. Lidhur me situatën aktuale në Gjykatën e Lartë, Z. Sadushi bëri një prezantim të aktivitetit të deritanishëm të tre anëtarëve të kësaj gjykate, që nga momenti i marrjes së detyrës si dhe punën e kryer prej tyre në evadimin e një numri të konsiderueshëm çështjesh. Sipas Z. Sadushi, ardhja e gjyqtarëve të rinj, do të sillte një ritëm tjetër në këtë gjykatë dhe do të shtonte shpresën për vijimin me sukses të hapave të marra deri tani.

Ambasadorja Greke Zj. Philippidou konfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit, i cili nuk duhet të mbetet vetëm në nivel zyrtar, por dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërise dhe Greqisë në fushën e së drejtës. Ajo ofroi mbështetjen e shtetit Grek, me anë të Ambasadës Greke në Tiranë, për të bërë të mundur shfrytëzimin e programeve të ndryshme në ndihmë të gjyqësorit shqiptar. Në lidhje me situatën në Gjykatën e Lartë, Zj. Philippidou u shpreh se ishte në dijeni me zhvillimet mbi aktivitetin e kësaj gjykate dhe se ambasada Greke është e interesuar që të vijojë procesi për funksionimin normal të kësaj gjykate, ashtu sikurse është në vëmendje edhe të shteteve të Bashkimit Evropian. ​

 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte