REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 25.05.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Universiteti “Ismail Qemali” i qytetit të Vlorës, në bashkepunim me Konsullatën e Përgjithshme Italiane në Republikën e Shqipërisë dhe Universitetet italiane: “La Sapienza” Romë, “Aldo Moro” Bari, Universitetin e Catanias dhe Universitetin Kore, Enna (Sicili), organizuan konferencën shkencore me temë: “Evolucioni i Legjislacionit Shqiptar ndërmjet politikave Evropiane dhe eksperiencës Italiane”.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm rreth 200 pjesëmarrës, mes të cilëve profesorë të shquar italianë nga universitetet e mësipërme, pedagogë e studentë shqiptarë, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, e të tjerë.

Fjalën e hapjes e mbajti rektori i Universitetit të Vlorës Prof. Roland Zisi, i cili vlerësoi rëndësinë e këtyre takimeve, të cilat shërbejnë si forume për shkëmbime idesh dhe eksperiencash.

Më pas e mori fjalën Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, i cili vuri në dukje ndër të tjera rëndësinë e konferencave të tilla, si tribuna të mendimit shkencor bashkëkohor në fushën e drejtësisë dhe njëkohësisht edhe si ndihmë me vlerë për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të shumta të praktikës dhe rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Me këtë rast ai theksoi se padyshim që vlera e kësaj konference shtohet edhe më shumë nga prania dhe referimet që sipas programit do të mbajnë edhe profesorët e njohur e me mjaft eksperiencë të katër universiteteve italiane. Në këtë kuptim, ai shtoi se parë nga tematika e gjithanshme dhe bashkëkohore si dhe pjesëmarrja, kjo konference përbën në vetvete një ngjarje me rëndësi jo vetëm për Universitetin e Vlorës, por shumë më gjerë.

Duke u ndalur sërish tek agjenda dhe debati që pritet të zhvillohet për dy ditë me radhë, Z. Zaganjori ritheksoi nevojën e reformimit dhe modernizimit të mëtejshëm të sistemit të drejtësisë, i cili duhet të jetë i aftë t’i pergjigjet sfidave dhe kërkesave që imponon koha.

Ndër të tjera, Kryetari i Gjykatës së Lartë përmendi në fjalën e tij çështjet apo dilemat që aktualisht kanë të bëjnë me thellimin e proceseve integruese brenda Bashkimit Europian; mënyrën dhe gatishmërinë e shteteve anëtare për të deleguar porcione të rëndësishme sovraniteti në drejtim të BE-së; Problemet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe bashkërendimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut; Problemet që lidhen me inteligjencën artificiale dhe profesionin e juristit, apo thënë ndryshe robotit dhe punonjësit të drejtësisë si gjyqtar, avokat, prokuror, e tjerë; Ekonominë Dixhitale dhe luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave në planin kombëtar dhe ndërkombëtar; Luftën kundër terrorrizmit dhe nevojës urgjente të marrjes së masave efektive ndaj këtij fenomeni të rrezikshëm, por duke patur parasysh respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare humanitare si dhe parimeve të shtetit të së drejtës, e të tjerë.

Në konferencë mori pjesë dhe përshendeti të pranishmit edhe Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë Dott.ssa Luana Alita Micheli, e cila siguroi për mbeshtjetjen e vazhdueshme që vendi i saj do të japë në drejtim të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe forcimin e institucioneve shqiptare të drejtësisë.

Konferencën e përshendeti dhe Profesori i njohur i së Drejtës Kushtetuese dhe Ndërkombëtare në Universitetin La Sapienza Augusto Sinagra i cili vuri në dukje miqësinë tradicionale mes dy vendeve, si dhe shprehu gadishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me universitetet shqiptare, në ndihmë të pedagogëve shqiptarë për rritjen e cilësisë dhe performancës së tyre, nevojën dhe dobishmërinë e diskutimit të temave të ndryshme me interes të përbashkët dhe përditësimit të kurrikulave dhe teksteve mësimore, etj.

Në fund, Konferencën e përshëndeti dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Z. Robert Gajda.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte