Sqarim në lidhje me mosfunksionimin e portalit gjykata.gov.al

16.06.2020

Duke marrë shkas nga një problematikë e kohëve të fundit, mosfunksionimi i portalit gjykata.gov.al ka ardhur si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes teknike, shumë kohë para konstituimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Duke mbajtur në konsideratë se kalimi i pronësisë së sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore ICMIS (pjesë e integruar e të cilit është edhe portali gjykata.gov.al) nga Ministria e Drejtësisë tek Këshilli i Lartë Gjyqësor, është realizuar në qershor të vitit 2019, një grup pune i ngritur posaçërisht për studimin e problematikave të sistemeve të menaxhimit të çështjeve, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, ka analizuar dhe renditur sipas shkallës së emergjencës të gjithë mangësitë e sistemit, të cilat do të eliminohen hap pas hapi, me rifillimin e mirëmbajtjes teknike të sistemit.

Aktualisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka filluar një procedurë prokurimi për zhvillimin, përmirësimin dhe modifikimin e sistemeve të menaxhimit të çështjeve në gjykata, si dhe mirëmbajtjen teknike të këtyre sistemeve. Një ndër elementët e mirëmbajtjes teknike që është parashikuar në procedurën e prokurimit është edhe ofrimi i mirëmbajtjes teknike të portalit gjykata.gov.al .

Sa më sipër, ju informojmë se në përputhje me parashikimet ligjore, në momentin e shpalljes së përfundimit të procedurës së prokurimit dhe nënshkrimit të kontratës përkatëse, kompania fituese, pasi të kontrollojë gjendjen aktuale të sistemit, do fillojë pa vonesë punën për zgjidhjen e problematikave që aktualisht ka portali gjykata.gov.al. Menjëherë sapo portali gjykata.gov.al të jetë funksional, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të bëjë të ditur publikisht këtë fakt.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, po punojnë për zhvillimin e portalit të ri gjyqësor, i cili do të përmbajë informacion mbi Këshillin dhe veprimtarinë e tij, por edhe për çdo gjykatë në veçanti, me qëllim ofrimin e një komunikimi më të thjeshtë dhe një akses më efikas në informacion. Këshilli i Lartë Gjyqësor gjatë zhvillimit të portalit të ri do të komunikojë dhe marrë mendimin e bashkëpunëtorëve të tij për një shërbim sa më funksional.

Ju faleminderit për mirëkuptimin!

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte