Shpallje vend vakant ne pozicionin Specialist/e Rendi

SHPALLJE PËR LEVIZJE PARALELE DHE PËR PRANIMIN NË SHËRBIMIN CIVIL NË KATEGORINË EKZEKUTIVE (SPECIALIST/E)

Lloji i diplomës: “Të ketë mbaruar studimet e larta universitare juridike ose ushtarake”

Niveli minimal i diplomës “Master Profesional”

Në zbatim të nenit 22 dhe të nenit 25, të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, si dhe të Kreut II, III, IV dhe VII, të Vendimit nr. 243, datë 18.03.2015, të Këshillit të Ministrave, Gjykata e Lartë shpall procedurat e lëvizjes paralele dhe të pranimit në shërbimin civil për kategorinë ekzekutive, për pozicionin:

1 (një) Specialist/e Rendi, në Sektorin e Ruajtjes së Rendit, me kategorinë III-b.

Pozicionet më sipër, u afrohen fillimisht nëpunësve civilë të së njëjtës kategori për procedurën lëvizjes paralele! Vetëm në rast se nga këto pozicione, në përfundim të procedurës së lëvizjes paralele, rezulton se ende ka pozicione vakante, ato janë të vlefshme për konkurrimin nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil për kategorinë ekzekutive.

Për të dy procedurat (lëvizje paralele dhe pranim në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive) aplikohet në të njëjtën kohë!

Afati për dorëzimin e dokumentave për LËVIZJE PARALELE

17 Gusht 2017

Afati për dorëzimin e dokumentave për PRANIM NË SHËRBIMIN CIVIL

22 Gusht 2017

Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionin si më sipër është:

1. Përgjigjet për ruajtjen e qetësisë dhe funksionimin e rregullt të çdo shërbimi në institucion.

2. Mbikqyr dhe disiplinon hyrjen dhe daljen në ambientet e Gjykatës së Lartë, në përputhje me rregullat e parashikuara në Rregulloren e Brendshme të Gjykatës së Lartë.

3. Ndalon hyrjen në ndërtesën e gjykatës të çdo personi që posedon armë apo mjete të tjera të ndaluara.

4. Siguron rregullin dhe rendin gjatë seancave gjyqësore duke qenë në dispozicion të kryesuesit të Kolegjit. Specialisti i Ruajtjes së Rendit kanë për detyrë të thërrasin dhe të shoqërojnë në sallën e gjykimit përfaqësuesit e pjesëmarrësve në proçes dhe ftojnë palët të ngrihen në këmbë kur futet në sallë trupi gjykues.

5. Janë në gadishmëri për të mbrojtur, gjatë kryerjes së detyrës, çdo punonjës të Gjykatës së Lartë nga qëndrime të padrejta dhe jo etike të qytetarëve, të cilët në të tilla raste, shoqërohen jashtë ambienteve të gjykatës, duke përdorur edhe forcën fizike nëse është e nevojshme.

6. Mbajnë rregull dhe qetësi në hollin e shërbimit për publikun, si dhe ndihmojnë në orientimin e publikut për funksionet që ka secila sekretari.

7. Mban evidencë të rregullt për prezencën në punë dhe lëvizjet jashtë gjykatës, ndaj të gjithë punonjësve, duke raportuar me shkrim çdo ditë.

8. Shoqërojnë vizitorët e ndryshëm në ambientet e gjykatës sipas rregullave të përcaktuara për sigurinë, duke plotësuar evidencën përkatëse për takimin dhe kohën e kryer.

9. Në bashkëpunim me shoferin-korrier, shoqërojnë postën sekrete të Gjykatës së Lartë sipas destinacionit të adresuar.

10. Marrin masat e duhura për krijimin e kushteve normale për studimin e dosjeve nga avokatët, duke mbajtur evidencë sipas rregullores së institucionit të miratuar.

11. Të jenë të vëmendshëm dhe të angazhuar gjatë gjithë kohës, në rastet e pritjes së delegacioneve të huaja dhe të titullarëve të institucioneve të rendësishme të shtetit.

12. Ndjek detyrat e vëna nga përgjegjësi i sektorit dhe nga Kancelari gjatë periudhës së pushimeve verore kur ka punime në ambientet e gjykatës.

13. Përgjigjet tek përgjegjësi i sektorit për kryerjen e detyrave ditore dhe mban lidhje të vazhdueshme me të, për diskutimin dhe vendimmarrjen në zgjidhjen e problemeve.

1 LËVIZJA PARALELE 

Kanë të drejtë të aplikojnë për këtë procedurë vetëm nëpunësit civilë të së njëjtës kategori, në të gjitha institucionet pjesë e shërbimit civil.

1.1 KUSHTET PËR LËVIZJEN PARALELE DHE KRITERET E VEÇANTA

Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet për lëvizjen paralele si vijon:

Të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori.

Të mos ketë masë disiplinore në fuqi.

Të ketë të paktën vlerësimin e fundit “mirë” apo “shumë mirë”.

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme si vijon:

Të zotërojë një diplomë “Mastër profesional” në studimet e larta universitare, në Fakultetin e Drejtësisë ose të Akedimisë së Rendit. Edhe diploma “Bachelor” duhet të jetë në të njëjtën fushë.

Të ketë njohuri për gjuhën angleze ose të një gjuhe tjetër të BE-së.

Të ketë njohuri praktike në përdorimin e programeve të kompjuterit.

1.2 DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT

Kandidatët duhet të plotësojnë pranë Sektorit të Personelit dhe Shërbimeve, të Gjykatës së Lartë, dokumentat si më poshtë:

a- Jetëshkrimi i plotësuar në përputhje me dokumentin tip që e gjeni në linkun:

http://dap.gov.al/vende -vakante/udhëzime-dokumenta/219-udhëzime-dokumenta.

b- Fotokopje e diplomës (përfshirë edhe diplomën Bachelor).

c- Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vertetojnë eksperiencën në punë).

d- Fotokopje e letërnjoftimit (ID).

e- Vertetimin e gjendjes shëndetësore.

f- Vertetimin e gjendjes gjyqësore.

g- Vlerësimet e fundit nga eprori direkt.

h- Vërtetimin nga institucioni që nuk ka masë disiplinore në fuqi

i- Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj.

Dokumentat duhet të dorëzohen me postë apo drejtpërsëdrejti në zyrën e Protokollit, të Gjykatës së Lartë, brenda datës 17 Gusht 2017.

REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIN PARAPRAK

Në datën 18 Gusht 2017, Sektori i Personelit dhe Shërbimeve, do të shpallë në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Lartë, si dhe në tendën e afishimeve të njoftimeve për publikun, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e lëvizjes paralele dhe kriteret e veçanta, si dhe datën, vendin dhe orën e saktë ku do të zhvillohet intervista.

Në të njëjtën datë kandidatët që nuk plotësojnë kushtet e lëvizjes paralele dhe kriteret e veçanta do të njoftohen individualisht për shkaqet e moskualifikimit (nëpërmjet adresës së e-mail).

FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET INTERVISTA

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me:

Njohuritë për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë;

Ligjin nr.98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

Ligji nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”.

Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”.

Njohjes së legjislacionit në fushën e sigurisë dhe ruajtjes së rendit.

MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:

Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe çertifikimin pozitiv. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.

Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

a- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës.

b- Eksperiencën e tyre të mëparshme.

c - Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.

Më shumë detaje në lidhje me vlerësimin me pikë, metodologjinë e shpërndarjes së pikëve, menyrën e llogaritjes së rezultatit përfundimtar i gjeni në Udhëzimin nr. 2, datë 27.03.2015, të Departamentit të Administratës Publike “ www.dap.gov.al ”.

http://dap.gov.al/2014-03-21-12-52-44/udhëzime/426-udhezim-nr-2-date-27-03-2015

DATA E DALJES SË REZULTATEVE TË KONKURIMIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, informacioni për fituesin do të shpallet në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Lartë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në tendën e afishimeve të njoftimëve për publikun.

2. PRANIMI NË SHËRBIMIN CIVIL NË KATEGORINË EKZEKUTIVE

Vetëm në rast se nga pozicionet e renditura në fillim të kësaj shpalljeje, në përfundim të procedurës së lëvizjes paralele, rezulton se ende ka pozicione vakante, këto pozicione janë të vlefshme për konkurrim nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil për kategorinë ekzekutive. Këtë informacion do ta merrni në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” duke filluar nga data 25 Gusht 2017.

2.1 KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI NË PROCEDURËN E PRANIMIT NË SHËRBIMIN CIVIL DHE KRITERET E VEÇANTA

Për këtë procedurë kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë kandidatët jashtë sistemit të shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat e përgjithshme sipas nenit 21, të ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar.

Kushtet që duhet të plotësojnë kandidati në procedurën e pranimit në shërbimin civil janë:

Të jetë shtetas shqiptar;

Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;

Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;

Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga shërbimi civil, që nuk është shuar sipas ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar.

Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e veçanta si vijon:

g- Të zotërojë një diplomë “Master profesional” në studimet e larta universitare, të Fakultetit të Drejtësisë ose të Akedimisë së Rendit. Edhe diploma “Bachelor” duhet të jetë në të njëjtën fushë. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë njohur paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njesimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi.

h- Të ketë përvojë pune të paktën 1 (një) vit.

i- Të ketë njohuri të gjuhës angleze ose të një gjuhe të BE.

j- Të ketë njohuri të mira praktike në përdorimin e kompjuterit.

k- të ketë aftësi të mira komunikimi dhe punës në grup.

2.2 DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT

Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:

a- Jetëshkrimi i plotësuar në përputhje me dokumentin tip që e gjeni në linkun:

http://dap.gov.al/vende -vakante/udhëzime-dokumenta/219-udhëzime-dokumenta.

b- Fotokopje e diplomës (përfshirë edhe diplomën Bachelor).

c- Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vertetojnë eksperiencën në punë).

d- Fotokopje e letërnjoftimit (ID).

e- Vertetimin e gjendjes shëndetësore.

f- Vertetimin e gjendjes gjyqësore.

g- Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj.

h- Vertetimin nga institucioni i fundit ku ka punuar, që nuk ka masë disiplinore në fuqi.

Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentave më sipër për procedurën e pranimit në kategorinë ekzekutive duhet të bëhet brenda datës 22 Gusht 2017.

2.3 REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIT PARAPRAK

Në datën 30 Gusht 2017, Sektori i Personelit dhe Shërbimeve, do të shpallë në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Lartë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në tendën e informimit për publikun, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme e pranimit në kategorinë ekzekutive, si dhe datën, vendin dhe orën e saktë ku do të zhvillohet testimi me shkrim dhe intervista

Në të njëjtën datë kandidatët që nuk plotësojnë kushtet e pranimit në kategorinë ekzekutive dhe kriteret e veçanta do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike, për shkaqet e moskualifikimit (nëpërmjet adresës së e-mail ose me celular).

2.4 FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET TESTIMI ME SHKRIM DHE INTERVISTA

Kandidatët do të testohen me shkrim në lidhje me:

a- Njohuritë për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë;

b- Ligjin nr.98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

c- Ligji nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”.

d- Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”.

e- Njohjes së legjislacionit në fushën e sigurisë dhe ruajtjes së rendit.

Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

a- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës.

b- Eksperiencën e tyre të mëparshme.

c- Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

2.5 MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me:

a- Vlerësimin me shkrim, deri në 60 pikë;

b- Intervistën e strukturuar me gojë që konsiston në motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën, deri në 25 pikë;

c- Jetëshkrimin, që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të përvojës e të trajnimeve, të lidhura me fushën, deri në 15 pikë;

Më shumë detaje në lidhje me vlerësimin me pikë, metodologjinë e shpërndarjes së pikëve, mënyrën e llogaritjes së rezultatit përfundimtar i gjeni në Udhëzimin nr. 2, datë 27.03.2015, të Departamentit të Administratës Publike “ www.dap.al”.

http://dap.gov.al/2014-03-21-12-52-44/udhëzime/426-udhëzim-nr-2-date-27-03-2015

2.6 DATA E DALJES SË REZULTATEVE TË KONKURIMIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Sektori i Personelit dhe Shërbimeve, pranë Gjykatës së Lartë, do të shpallë fituesin në faqen zyrtare, në tendën e njoftimit për publikun, si dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”. Të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këtë procedurë do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail).

Të gjithë kandidatët që aplikojnë për procedurën e pranimit në shërbimin civil për kategorinë ekzekutive, do të marrin informacion në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, për fazat e mëtejshme të procedurave së pranimit në shërbimin civil të kategorisë ekzekutive:

Për datën e daljes së rezultateve të verifikimit paraprak;

Datën, vendin dhe orën ku do të zhvillohet konkurrimi;

Për të marrë këtë informacion, kandidatët duhet të vizitojnë në mënyrë të vazhdueshme faqen e internetit të Gjykatës së Lartë, si dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” duke filluar nga data 25 Gusht 2017.

Për sqarime, mund të kontaktoni me numrin e telefonit 04 22 57 308 ose në adresën:

Gjykata e Lartë, Rruga: “Ibrahim Rrugova”,Tiranë.

Tiranë me 07.08.2017

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte