Me datë 22.07.2021, Kolegji Administrativ mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen administrative me nr. 31001-03553-00-2014, datë 14.10.2014, me objekt anullimin e një vendimi të KMCAP Epror, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, mbi shkallën e invaliditetit të paditëses, për të cilën konkludoi me një vendim njësues të praktikës gjyqësore.

Para Gjykatës së Lartë gjenden për shqyrtim çështje të ngjashme, ku janë vënë re qëndrime të ndryshme të gjykatave mbi interpretimin e nenit 39/2 të ligjit nr. 7703/1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar në vitin 2011. Kjo dispozitë ka parashikuar se vendimet e KMCAP Epror janë të formës së prerë.

Sa më sipër, Kolegji vlerësoi se ishte rasti për njësimin e praktikës gjyqësore në lidhje me këto çështje:

1) A e kanë respektuar jurisprudencën “Dauti vs. Albania” të GJEDNJ ndryshimet e Ligjit nr. 7703/1993 në vitin 2011 dhe a e kanë shndërruar ndryshimet e ligjit për sigurimet shoqërore të vitit 2011 KMCAP Epror materialisht në një gjykatë me të gjitha elementet e nenit 6 të KEDNJ apo jo?;

2) Si duhet interpretuar dhe zbatuar neni 39/1 i Ligjit nr. 7703/1993, konkretisht pika 3, në pjesën ku parashikon se: “…Vendimi i Komisionit Epror është i formës së prerë.”; Si qëndron kjo dispozitë në raport me dispozitat e tjera procedurale, ligjore dhe kushtetuese që parashikojnë të drejtën e përgjithshme të ankimit, si e drejtë themelore?

Për të konkluduar mbi to, Kolegji mori në analizë rregullimet ligjore dhe nënligjore në lidhje me organizimin dhe funksionimin e KMCAP Epror; anëtarësinë dhe përbërjen; mënyrën e emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve; garancitë e tyre në detyrë; procedurën dhe rregullat e shqyrtimit të kërkesave pranë tyre etj.

Kolegji shtroi për diskutim, në këtë vendim njësues, nëse kanë fuqi detyruese konkluzionet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës që konstatojnë përmbushjen e masave të përgjithshme, që GJEDNJ ka lënë si detyrë ndaj shtetit, nëse pas rezolutës konstatohet se në të vërtetë masat ligjore të marra nga shteti nuk e kanë zbatuar jurisprudencën e GJEDNJ dhe sërish ka shkelje të dispozitave të KEDNJ.

Po ashtu, Kolegji mori në analizë, nëse mund të krijohen quasi gjykatat me ligj me shumicë të zakonshme, duke patur parasysh parashikimet e nenit 81 të Kushtetutës; Nëse mundet të rregullohet organizimi, funksionimi dhe procedurat e shqyrtimit të organeve quasi gjyqësore me ligje me shumicë të zakonshme apo me akte nënligjore normative; nëse mundet gjyqtari i zakonshëm të refuzojë të zbatojë ligjin, kur ky i fundit vjen në kundërshtim me një marrëveshje ndërkombëtare; raporti juridik midis të drejtës së brendshme dhe të drejtës ndërkombëtare etj.

Në përfundim, Kolegji Administrativ arriti në konkluzionin njësues se ndryshimet e Ligjit nr. 7703/1993 nuk plotësojnë të gjitha standardet e vendosura nga GJEDNJ, në çështjen “Dauti kundër Shqipërisë” dhe standartet kushtetuese mbi gjykatën e caktuar me ligj, mbi pavarësinë dhe patundshmërinë e anëtarëve të KMCAP Epror, sipas nenit 6 të KEDNJ-së dhe nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Si rrjedhojë, në këtë vendim njësues u konkludua se neni 39/2 i Ligjit nr. 7703/1993, në pjesën ku parashikon se vendimet e KMCAP Epror janë të formës së prerë, do të mbetet i pazbatueshëm. Në të tilla raste do të gjejë zbatim drejtëpërdrejtë vendimi i GJEDNJ-së, në çështjen “Dauti kundër Shqipërisë” si dhe dispozitat kushtetuese dhe ligjore të përgjithshme që garantojnë kontrollin gjyqësor mbi aktin administrativ.

Kikoni këtu për të lexuar të plotë vendimin njësues

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte