Njoftim për publikun

Në respekt të detyrimit ligjor për ndarjen e çështjeve gjyqësore me short elektronik, si dhe bazuar në parimet e transparencës dhe të objektivitetit, menjëherë pas emërimit të tre gjyqtarëve të parë të Gjykatës së Lartë, në muajin Mars 2020, të gjitha çështjet e regjistruara i janë nënshtruar këtij procesi, ku për çdo çështje është caktuar relatori përkatës.

Për shkak të numrit të kufizuar të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë (përkatësisht nga një gjyqtar në Kolegjin Administrativ, Civil dhe Penal), të gjitha çështjet kishin të caktuar automatikisht një relator të vetëm në sistemin elektronik të menaxhimit.

Pas emërimit në muajin mars të vitit 2021 të katër gjyqtarëve të rinj në Kolegjin Penal, sipas ligjit, u krye rishortimi i të gjitha çështjeve penale, duke u ndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet gjyqtarëve të këtij kolegji.

Sipas rregullave të vendosura nga Gjykata e Lartë dhe të bëra publike, që lidhen me garantimin e parimit të gjykatës së caktuar me ligj, në procesin e rishortimit të çështjeve nuk përfshihen:

së pari: çështjet, për të cilat, pas datës 13 mars 2020, ka filluar gjykimi dhe është vendosur kalimi i tyre në seancë gjyqësore;

së dyti: çështjet e gjykuara nga trupi gjykues, për të cilat nuk është përfunduar procesi teknik i pasqyrimit të vendimit përfundimtar në sistemin elektronik të menaxhimit;

së treti: çështjet,për të cilat është kryer shpallja e datës, orës dhe e përbërjes së trupit gjykues në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, por që ende nuk është përfunduar shqyrtimi i tyre.

Me emërimin në muajin Korrik të vitit 2021 të dy gjyqtarëve të rinj, në Kolegjin Civil dhe Administrativ,për të gjitha çështjet civile dhe administrative,ende të pashqyrtuara do të kryhet e njëjta procedurë e rishortimit të tyre, ndërmjet gjyqtarëve të çdo kolegji. Konkretisht, çështjet që përfshihen në kategoritë e sipërpërmendura do vijojnë të kenë të njëjtin relator dhe trup gjykues, të caktuar më parë, ndërkohë që të gjitha çështjet e tjera që nuk përfshihen në këto kategori, do të rishortohen ndërmjet dy gjyqtarëve të secilit kolegj, duke ndjekur rregullin e ndarjes së drejtë e të barabartë, sipas vitit përkatës të regjistrimit të tyre në sekretarinë e kësaj gjykate.

Një procedurë e tillë është e detyrueshme të kryhet, pas emërimit të çdo gjyqtari të ri në Gjykatën Lartë, deri në plotësimin e saj me numrin e plotë të gjyqtarëve, sipas çdo kolegji.

Ftojmë, të gjithë të interesuarit, që pas emërimit të çdo gjyqtari të ri në Gjykatën e Lartë, të ndjekin në vijimësi, nëpërmjet faqes zyrtare të kësaj gjykate, përditësimin e të dhënave që evidentohen nga procesi i ndarjes së çështjeve gjyqësore me short elektronik, sipas rregullave të sipërpërmendura.

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte