REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 06.10.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Në zbatim të detyrimeve kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, me datë 29.06.2017, thirri mbledhjen e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në të cilën kërkoi deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarëve Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani dhe Andi Çeliku.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, me shkresën nr. 2859 datë 30.06.2017, ka njoftuar Presidentin e Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për vendimmarrjen e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë lidhur me mbarimin e mandatit të këtyre gjyqtarëve, duke theksuar se, sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, dhe konkretisht pikës 5 të nenit 136 të Kushtetutës, gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit.

Ndërkohë, katër prej gjyqtarëve të sipërpërmendur i kanë paraqitur Kryetarit të Gjykatës së Lartë, përkatësisht në datat 28.07.2017 dhe 31.07.2017, në mënyrë individuale, një shkresë më anë të së cilës njoftojnë dorëzimin e detyrës si anëtarë të Gjykatës së Lartë për shkak të mbarimit të mandatit.

Sot më datë 06.10.2017, me të njëjtat argumenta Z. Andi Çeliku i paraqiti Kryetarit të Gjykatës së Lartë shkresën më anë të së cilës njofton dorëzimin e detyrës si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Lidhur me dorëzimin e detyrës nga ky gjyqtar, Kryetari i Gjykatës së Lartë, po sot, njoftoi edhe Presidentin e Republikës.

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte