REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 01.07.2021

NJOFTIM PËR MEDIAN

Në vijim të aktiviteteve që Gjykata e Lartë po zhvillon me disa nga Gjykatat e Larta të vendeve të ndryshme të Evropës, në datë 01.07.2021 u zhvillua takimi i radhës me Gjykatën e Kasacionit të Italisë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte vendosja e kontakteve më të ngushta midis dy Gjykatave të Larta për të shkëmbyer përvojat më të mira mes tyre. Në këtë kuadër, tema e parë me të cilën filloi ky bashkëpunim ishte procesi i përcjelljes sa më të shpejtë dhe cilësore të vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë, gjë që realizohet nëpërmjet strukturave të posaçme që bëjnë përmbledhjen dhe sistematizimin e vendimeve gjyqësore (Massimario për Gjykatën e Kasacionit të Italisë dhe Qendra e Dokumentacionit për Gjykatën e Lartë të Shqipërisë).

Në aktivitetin e prezantimit online me titull “Zyra Massimario dhe roli i saj në Gjykatën e Kasacionit, teknikat për hartimin e Massimario-s”, morën pjesë Zëvendëskryetari i Gjykatës së Kasacionit të Italisë, Znj. Margherita Cassano, Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Z. Sokol Sadushi, si dhe përfaqësues të tjerë të të dy gjykatave (gjyqtare dhe këshilltare ligjorë), midis të cilëve edhe nëpunës të strukturave përkatëse, që bëjnë publikimin dhe përmbledhjen e vendimeve të gjykatave.
Ky takim do të pasohet nga aktivitete të tjera midis dy Gjykatave, në nivel teknik me qëllim aftësimin e mëtejshëm të stafit të Gjykatës së Lartë për të përçuar vendimmarrjen e saj në publik në mënyrë sa më efektive dhe cilësore.

 
 
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte