REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 08.05.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Në kuadër të nismës së bashkëpunimin Kinë – Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore “16+1 (Një brez, Një Rrugë) një delegacion i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Kinës ka vizituar këto ditë Tiranën. Qëllimi i Nismës është mbajtja e dialogut mes 17 vendeve pjesëmarrëse të saj (11 prej të cilave janë vende anëtare të BE-së), si dhe promovimi, zgjerimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet tyre.

Platforma e kësaj nisme konsiston ne intensifikimin e marrëdhënieve, mbështetjen dhe promovimin e bizneseve kryesisht në sektorët e strategjike (energjia, telekomunikacioni, infrastruktura, bujqësia, turizmi etj), rritjen e bashkëpunimin ne fushën e kulturës, arsimimit etj, njohjen e legjislacioneve reciproke ne fushën e drejtësisë, nënshkrimin e marrëveshjeve juridiksionale dhe memorandumeve të bashkëpunimit në këtë drejtim.

Delegacioni nga Kina, kryesohej nga Z. SUN Huapu, Gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Kinës dhe në përbërje të tij ishin gjyqtarët Z. Wei Yanming, Gjyqtar dhe Kryetar i Gjykatës së Lartë Popullore të Hebei-t, Z. WANG Shumao, gjyqtar i nivelit të lartë, nënkryetar i Gjykatës së Lartë të Henan-it, Z. YU Donghui, gjyqtar i nivelit të lartë dhe Kryetar i Gjykatës së Ndërmjetme Popullore të Zhengzhou-s të provincës së Henan-it si dhe zonjat WANG Ling, gjyqtare e nivelit të lartë dhe Drejtoreshë e Përgjithshme e Departamentit të Informacionit në Gjykatën e Lartë të Republikës Popullore të Kinës dhe Znj. CHANG Qi, Zyrtare në Departamentin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Gjykatën e Lartë të Republikës Popullore të Kinës.

Gjatë vizitës në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe takimit me anëtarë të kësaj gjykate, Kryetari i gjykatës Z. Xhezair Zaganjori i njohu të ftuarit me veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, problemet, arritjet, sfidat me të cilat përballet ajo, si dhe prezantoi me detaje procedurën qe ndjek kjo gjykatë për unifikimin e praktikës gjyqësore nga Kolegjet e Bashkuara. Në fjalën e tij, ai theksoi gjithashtu rëndësinë që kanë vizita të tilla në kuadër të njohjes më nga afër të praktikave më të mira.

Përfaqësuesit e delegacionit kinez, gjithashtu e vlerësuan si mjaft të frytshme vizitën e tyre në Shqipëri, ndërsa bënë me dije së të gjitha çështjet e ngritura i konsiderojnë si një përgjegjësi e rëndësishme, që duhen realizuar, duke përfituar të dy popujt tanë.

Krahas takimit me anëtarët e Gjykatës së Lartë, delegacioni kinez zhvilloi edhe një takim në formën e një Tryezë të Rrumbullakët me drejtues të zyrave të shtypit të organeve kryesore të drejtësisë në Shqipëri, mbi “Organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në Republikën Popullore të Kinës dhe Republikën e Shqipërisë, si dhe marrëdhënien e gjykatave me median dhe publikun”. Në këtë kuadër u vlerësua rëndësia që ka kjo marrëdhënie në shërbim të transparencës, duke theksuar rolin e pa diskutueshëm që duhet të ketë një gjyqësor i hapur kundrejt një medie të përgjegjshme dhe të sinqertë në raport me qytetarin dhe organet e drejtësisë.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë, delegacioni zhvilloi disa takime të rëndësishme edhe me drejtues të lartë të institucioneve të drejtësisë në vend.

Gjatë vizitës në Ministrinë e Drejtësisë, Ministri Petrit Vasili e vlerësoi këtë takim si një mundësi për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të ideve dhe eksperiencave të ndërsjella mes Shqipërisë dhe Kinës. Ai theksoi se administrimi i sistemit të drejtësisë në një vend të madh si Kina duhet të vlejë si një eksperiencë e rëndësishme për të na ndihmuar në miradministrimin dhe rritjen e efiçencës të sistemin tonë të drejtësisë. Referuar zhvillimit të madh që ka pësuar ndër vite bashkëpunimi në biznes mes dy vendeve tona, Z. Vasili solli në vëmendjen e të pranishmëve se pa një drejtësi që funksionon siç duhet, nuk ka biznes që ecën përpara. Njëkohësisht, Z. Vasili shprehu interesin e institucionit që drejton për konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes projekteve konkrete dhe nënshkrimit të marrëveshjeve në dhënien e ndihmës së ndërsjellë juridike dhe memorandumeve të bashkëpunimit midis Ministrive të Drejtësisë të të dy vendeve.

Gjithashtu në të njëjtën frymë u diskutua edhe gjatë takimit me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Z. Bashkim Dedja, i cili duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve mike theksoi se shkëmbimi i eksperiencës së organizimit të sistemit të drejtësisë mes të dyja vendeve, shton vlerat dhe rrit cilësinë e dhënies së drejtësisë kundrejt qytetarëve.

Delegacioni i gjyqtarëve pati rastin të vizitonte edhe godinën e sapo ndërtuar të Gjykatës së Apelit në Shkodër, ku u pritën në një takim të veçantë nga kryetari i kësaj gjykate Z. Fuat Vjerdha. Ata u njohën me mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate dhe patën mundësi të shihnin sallat dhe ambientet e reja të saj.

Item 1
 
 
 
 
 
 
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte