REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 11.05.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Në kuadër të 10 Majit, Ditës Kombëtare të Drejtësisë, Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, mori pjesë në inaugurimin e godinës së re të Gjykatës së Apelit Shkodër. Në këtë ceremoni merrnin pjesë dhe Ministri i Drejtësisë Z. Petrit Vasili, Ministri i Brendshëm Z. Fatmir Xhafaj dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të drejtësisë.

Duke iu referuar Ditës Kombëtare të Drejtësisë, Z. Zaganjori në fjalën e tij, vlerësoi kontributin e vyer të patriotëve shqiptarë, të cilët i kushtuan rëndësi sistemit gjyqësor duke miratuar aktin e parë gjyqësor, Kanunin e Zhurisë, i cili reflektonte parimet e organizimit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor, me standardet më të mira ndërkombëtare të kohës.

Më pas duke theksuar rëndësinë që ka Dita Kombëtare e Drejtësisë, ai u shpreh se kjo është një ditë për të reflektuar sa më mirë në lidhje me zbatimin në mënyrë rigoroze të detyrave kushtetuese dhe ligjore që i shërbejnë forcimit të shtetit ligjor dhe mbrojtjes se interesave të qytetarëve.

Në këtë kuadër, inaugurimi i kësaj gjykate i shërben më së miri nevojave dhe kërkesave për një shërbim gjyqësor sa më cilësor, duke plotësuar standardet bashkëkohore në ofrimin e kushteve me hapësira të përshtatshme për gjyqtarët, stafin dhe publikun. Gjithashtu ajo lejon komunikim dhe ndërveprim më të lehtë me median, si një faktor i rëndësishëm në promovimin e punës së përditshme të gjyqtarëve dhe informimin e tyre me çështjet e drejtësisë.

Mbështetja e USAID në këtë projekt ka qenë i një rëndësie të madhe, sidomos në instalimin e sistemit kompjuterik dhe sistemit të regjistrimit audio në të gjitha sallat e gjykimit, e cila i shërben rritjes së transparencës dhe eficencës së punës së gjykatës.​

Item 1
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte