REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 25.09.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Në datat 21 – 23 Shtator 2017, “Forumi i gjyqtarëve të Bashkimit Evropian për çështjet e ambientit”,në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe Kolegjin Merton të Universitetit të Oxfordit, zhvilluan konferencën me temë “Ndryshimet klimatike dhe gjyqësori”.

Në këtë takim morën pjesë akademikë, gjyqtarë të gjykatave  administrative, të Gjykatave të Larta dhe të Gjykatave Kushtetuese, ekspertë të fushës, etj.

Takimin e hapi Lord Lindblom, anëtar i Gjykatës së Apelit të Anglisë dhe Wellsit.

Më pas fjalën e mori Z. Laurent Fabius, aktualisht Kryetar i Këshillit Kushtetues dhe ish-Kryeministër, Ministër i Drejtësisë dhe Ministër i Punëve të Jashtmë të Republikës Franceze.

Në fjalën e tij Z. Fabius u ndal kryesisht në detyrat që dalin para Bashkimit Evropian por edhe bashkësisë ndërkombëtare, për implementimin e akteve ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së ambientit, e në mënyrë të veçantë Marrëveshjen e Parisit e vitit 2016 mbi ndryshimet klimatike.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Xhezair Zaganjori, në ndërhyrjen e tij, ndër të tjera, theksoi rëndësinë që kanë angazhimet e marra nga shtetet për mbrojtjen efektive të mjedisit. Çështjet e mjedisit janë trajtuar në një sere aktesh ndërkombëtare si Konventa e Aarhusit, Konventa kuadër e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, Protokolli i Kyotos, e në mënyrë të veçantë Marrëveshja e Parisit e vitit 2016, e cila përcakton detyrime konkrete për shtetet nënshkruese. Këto akte janë shumë positive dhe ofrojnë një bazë shumë të mirë ligjore lidhur me masat që duhen marrë nga shtetet në mbrojtje të mjedisit dhe klimës,  por problemi qëndron në implementimin e tyre në nivel kombëtar. Ndodh shpesh që ndotësit më të mëdhenj të mjedisit janë indiferentë ndaj këtyre fenomeneve.

Z.Zaganjori vuri në dukje veçanërisht rëndësinë që kanë në këtë procese dhe angazhimi nëpërmjet vendimmarrjes së Gjykatave të Larta dhe Gjykatave Kushtetuese të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, por dhe më gjerë, për të përcaktuar masa dhe detyra sa më konkrete, për t’i dhënë jetë dhe substance implementimit në mënyrë reale e  efektive të urdhërimeve kushtetuese e ndërkombetare për mbrojtjen e ambientit, sidomos në drejtim të garantimit të të drejtës së informimit për çështjet e ambientit, zvogëlimit të nivelit të shkarkimeve të gazrave me efekt serrë si dhe garantimit të një ambienti sa më të pastër e të shëndetshëm për gjeneratat që do vijnë.

Në këtë kuadër, Z. Zaganjori theksoi rëndësinë që ka vendimmarrja e këtyre gjykatave për të transpozuar dhe siguruar zbatimin efektiv të detyrimeve që burojnë nga aktet ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së ambientit.

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte