REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 23.06.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Me rastin e Presidencës 6 mujore të Republikës Çeke në Këshillin e Evropës, u organizua në Brno, 19-21 qershor 2017, një konferencë me pjesëmarrjen e kryetarëve të Gjykatave të Larta dhe Gjykatave Kushtetuese të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Në këtë konferencë ishin gjithashtu të ftuar dhe gjyqtarë të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Takimin, në ditën e parë, e përshëndetën Z. Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe Z. Bohuslav Sobotka, Kryeministër i Republikës Çeke.

Punimet e konferencës iu kushtuan “Ekzekutimit të vendimeve Gjyqësore” të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatës Evropiane të Drejtësisë si dhe gjykatave kombëtare, Gjykatave Kushtetuese, Gjykatave të Larta dhe gjykatave të juridiksionit të zakonshëm të vendeve anëtare të KiE.

Në fjalën e tij Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, vlerësoi rolin e Shkollës së Magjistraturës në ofrimin e programeve dhe kurikulave për njohjen dhe përvetësimin e së drejtës evropiane, nga kandidatët për magjistratë dhe gjyqtarët në detyrë. Gjithashtu ai evidentoi punën e mirë të gjyqtarëve në drejtim të arritjes së një niveli të kënaqshëm të zbatimit të standardeve të gjykatës së Strasburgut. Z. Zaganjori theksoi pozicionin që zë K.E.D.Nj. në sistemin ligjor shqiptar, zbatimi i këtyre standardeve dhe raportet ndërmjet jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut me jurisprudencën shqiptare.

Ai theksoi se, në Shqipëri organizohen rast pas rasti tryeza konsultative ndërmjet Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese për të trajtuar problematikat e evidentuara dhe për të gjetur qasjet e përbashkëta ligjore në lidhje me garantimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Z. Zaganjori në fjalën e tij drejtuar konferencës, shtoi se Shqipëria në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, ka thelluar përpjekjet në drejtim të njohjes së jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, ndonëse mbetet ende shumë punë për tu bërë në drejtim të përvetësimit dhe zbatimit të saj nga gjykatat shqiptare.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte