REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 23.04.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Me ftesë të Shkollës së Magjistraturës ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Tiranë, një delegacion i Akademisë Turke të Drejtësisë. Ky delegacion, kryesuar nga Saban Kazbal, Kryetar i Bordit të Inspektimeve në Ministrinë e Drejtësisë, Mikail Osdemir Zv/President i Akademisë së Drejtesisë së Turqisë dhe Hadi Salihoglu Drejtues i Prokurorisë së Apelit të Stambollit, është takuar të hënën, në ambientet e Gjykatës së Lartë me Kryetarin e kësaj gjykate Z. Xhezair Zaganjori. Në takim merrnin pjesë edhe anëtarë të tjerë të Akademisë Turke të Drejtësisë, shoqëruar nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës Z. Sokol Sadushi.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori ka vlerësuar vizitën e delegacionit Turk, duke u shprehur se të dyja vendet prej vitesh tashmë vijojnë të bashkëpunojnë duke arritur të fitojnë dhe shkëmbejnë eksperiencat më të mira në fushën e drejtësisë dhe programeve mësimore në formimin dhe kualifikimin e gjyqtarëve. Ai vuri në pah rëndësinë e shkëmbimit të përvojave të vlefshme mes institucioneve të drejtësisë, duke theksuar veçanërisht se “vizita dhe takime të tilla me përfaqësues të lartë të gjyqësorit të një vendi mik, kontribuojnë për të shkëmbyer pikëpamje dhe përvoja reciproke, për rritjen e cilësisë së punës, integritetit dhe profesionalizmit të gjykatësve”. Gjatë diskutimeve, Z. Zaganjori e njohu delegacionin turk me funksionimin e sistemit të gjyqësorit në vendin tonë dhe Gjykatës së Lartë në veçanti, si dhe me proceset reformuese që po merren në sistemin e drejtësisë në tërësi.

Kryetari i delegacionit Turk, në emër edhe të kolegëve të tij, ka shprehur konsideratat më të larta, duke falenderuar Z. Zaganjori për kohën dhe pritjen e kushtuar në Gjykatën e Lartë. Sipas tij Turqia dhe Shqipëria kanë tashmë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi, duke theksuar se kjo marrëdhënie shkon më larg se një miqësi e zakonshme mes dy shteteve. Sipas Z. Kazbal në vendin e tij, veçanërisht gjatë dekadës së fundit, gjyqësori po i kushton vëmendje maksimale reformave në mënyrë që të arrihen standardet e shumëkërkuara evropiane. Këto takime kanë në plan të parë shkëmbimet e ndërsjella të përvojave të veçanta të secilit prej shteteve, në mënyrë që të dyja palët të marrin eksperiencat më të mira nga njëri-tjetri.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte