REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 10.09.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Me ftesë të Presidentes së Institutit për të Drejtën Evropiane (ELI) Znj. Christiane Wendehorst, Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në Konferencën Vjetore dhe Asamblenë e Përgjithshme të këtij Instituti, të cilat u zhvilluan në datat 5-7 shtator 2018 në Riga, Letoni. Në këtë aktivitet zhvilluar në Muzeun Kombëtar të Artit dhe Biblotekën Kombëtare të Letonisë, si dhe Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Rigës ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve evropiane, gjyqtarë, juristë, akademikë dhe specialistë të së drejtës evropiane.

Gjykata e Lartë është anëtare e kësaj shoqate ndërkombëtare të rëndësishme që në vitin 2013 me status vëzhguesi institucional. Së bashku me 100 institucione të tjera, ajo mbështet plotësisht synimet e këtij Instituti, përkatësisht rritjen e cilësisë së të drejtës evropiane, mbështetjen e zhvillimit të kësaj të drejte dhe zbatimin e duhur të saj në nivel kombëtar dhe evropian.

Ceremonia e hapjes së konferencës u përshëndet nga Presidentja e ELI-it Znj. Wendehorst, Rektori i Universitetit të Letonisë në Riga Z. Indriķis Muižnieks dhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Letonisë Znj. Ineta Ziemele. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë së Letonisë Z. Dzintars Rasnačs.

Gjatë punimeve të konferencës u trajtuan tema të tilla si: traditat e përbashkëta kushtetuese në Evropë, biznesi dhe të drejtat e njeriut, parimet transkombëtare dhe rregullat evropiane të procedurës civile, parimet e ekonomisë së të dhënave, parimet e llogaridhënies në mjediset e digjitalizuara, mbrojtja e të rriturve në situata ndërkombëtare, fuqizimi i familjeve evropiane, etj.

Gjatë këtij aktiviteti Z. Zaganjori ka shkëmbyer mendime dhe pikëpamje për çështje të ndryshme të shtruara për diskutim në panelet e organizuara dhe ka zhvilluar takime me Presidenten e ELI-it Znj. Christiane Wendehorst, Lordin John Thomas, ish-Kryetar i Gjykatës së Lartë të Britanisë së Madhe dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të ELI-it, si dhe Kryetarë dhe Anëtarë të Gjykatave të Larta dhe Kushtetuese të vendeve anëtare.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte