REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 15.12.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, Presidenti i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë Z. Koen Lenaerts.

Gjatë vizitës në Gjykatën e Lartë, Z. Lenaerts falenderoi përzemërsisht Kryetarin e kësaj gjykate Z. Zaganjori për ftesën dhe organizimin e kësaj vizite. Ai vlerësoi se tashmë Shqipëria, veçanërisht gjatë kësaj periudhe, është duke treguar maturi dhe përkushtim për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Pasi u njoh me hapat që po ndërmerr Shqipëria për reformimin e sistemit të drejtësisë, Z. Lenaerts inkurajoi vazhdimin e këtyre përpjekjeve për ta realizuar me sukses atë. Sipas tij, drejt standardeve evropiane ecet me politika të përbashkëta të cilat përfshijnë edhe vendet kandidate, por gjithmonë duke ruajtur vlerat kombëtare si pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit. Megjithatë ai theksoi nevojën e forcimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së pushtetit gjyqësor, rritjen e besimit të publikut tek drejtësia, rritjen e transparencës dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.

Nga ana e tij, Kryetari Zaganjori falenderoi përzemërsisht Z. Lenaerts për pranimin e ftesës për të vizituar Shqipërinë, në këtë vizitë të shënuar për vendin dhe sistemin gjyqësor. Sipas tij në kuadër të detyrave të progres raporteve të BE-së, Shqipëria ka vijuar reformat për të realizuar pritshmëritë e Bashkimit Evropian, që kanë të bëjnë me forcimin e pavarësisë, eficiencës së sistemit gjyqësor si dhe realizimin e një shërbimi cilësor ndaj publikut. Gjykatat shqiptare kanë filluar të njihen dhe të përvetësojnë të drejtën e B.E., e cila po bëhet gjithnjë e më e prekshme. Në vendin tonë, si Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, në disa vendime të tyre i referohen standardeve të GJED-së si dhe standardeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Gjatë qëndrimit në vendin tonë, Z. Lenaerts zhvilloi një takim me magjistratë dhe studentë të së drejtës, ku vuri në dukje se Gjykata e Drejtësisë garanton zbatimin e të drejtës së B.E. dhe barazinë e të gjithë shteteve anëtare të BE-së përpara ligjit. Në këtë këtë drejtim, ajo bashkëpunon me gjykatat kombëtare dhe për këtë arsye, këto të fundit duhet të bashkëpunojnë me këtë gjykatë veçanërisht në paraqitjen e çështjeve paragjykimore. Ai paraqiti një ekspoze të punës së gjykatës, çështjeve gjyqësore të rëndësishme që ka gjykuar ajo e që kanë patur impakt në Bashkimin Evropian, çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut të garantuara nga Karta Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe sfidat e reja me të cilat përballet sot GJED. Ai iu përgjigj interesimit të magjistarëve në lidhje me disa çështje dhe pyetje që iu drejtuan atij mbi rolin e gjykatës në interpretimin e së drejtës evropiane, garantimin e konsistencës së jurisprudencës dhe interpretimit uniform të legjislacionit të BE-së, etj..

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidenti i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë Z. Koen Lenaerts, u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Kuvendit Z. Gramoz Ruçi, ku u theksua se Shqipëria është një vend i rëndësishëm për BE-në, pikërisht për vlerat dhe arritjet e saj. Z. Lenarts theksoi se shpresojmë që negociatat të çelen në qershor 2019 dhe BE do të pasurohet duke pranuar një vend me frymë evropiane si Shqipëria. Me reformën në drejtësi, e cila është në udhë të mbarë, dhe procesin e vettingut, po hidhen bazat për një drejtësi dhe një gjyqësor të pavarur.

Në takimin me Ministren e Drejtësisë Znj. Etilda Gjonaj, e cila vlerësoi maksimalisht punën e Gjykatës së Lartë, nën drejtimin e Z. Zaganjori, lidhur me organizimin e Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, për zgjedhjen e anëtarëve të rinj gjyqtarë të KLGJ-së, u theksua gjithashtu se në këto momente duhet angazhimi i të gjithë aktorëve dhe faktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, për të çuar përpara reformën në drejtësi. Nga ana e tij Z. Lenaerts u shpreh se është thelbësore që gjyqtarët të jenë të pavarur nga pushtetet e tjera, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, të jenë të paanshëm si dhe të jenë garant të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të individit.

Presidenti Lenaerts u prit të shtunën edhe nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Z. Bashkim Dedja, i cili e njohu atë më mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë si dhe me problemet aktuale me të cilat ajo po përballet në kuadër të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Z. Lenaerts ju akordua edhe titulli “Doctor Honoris Causa”, me motivacionin “Për kontribut të çmuar në garantimin e interpretimit dhe të zbatimit të legjislacionit evropian në të gjitha vendet anëtare të BE-së”, nga Universiteti Evropian i Tiranës.​

Item 1
 
 
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte