REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 19.11.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Me ftesë të Kryetari të Gjykatës së Lartë (Kasacionit) të Francës Z. Bertrand Louvel, në datë 16.11.2018, Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Prokurorit të Përgjithshëm pranë kësaj gjykate, Z. Francois Molins. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të parlamentit dhe të senatit francez, Ministrja e Drejtësisë së Francës Znj. Nicole Belloubet dhe delegacione nga Gjykatat e Larta dhe Prokuroritë e Përgjithshme të disa vendeve të rajonit e më gjerë.

Ceremonia u hap nga Z. Louvel, i cili theksoi rëndësinë që ka rizgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm me një mandat 7 vjeçar. Ai vuri në dukje se emërimi i prokurorit të ri në Francë, përkon me përpjekjet që po bën shteti francez për modernizimin e drejtësisë, projekt që ka filluar që nga viti 2016. Sipas Z. Louvel, roli dhe kontributi i Prokurorit të Përgjithshëm është i rëndësishëm sepse ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e jurisprudencës në përputhje me standardet bashkëkohore. Ai është një nga institucionet më të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Nga ana tjetër, ai u shpreh se institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm është i rëndësishëm, pasi ai ndihmon dukshëm Gjykatën e Lartë për zbatimin e standardeve më të avancuara në tërësi, e në veçanti ato të vendosura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Gjykata Evropiane e Drejtësisë si dhe gjykata të tjera ndërkombëtare.

Z. Molins, në fjalën e tij falenderoi për besimin e dhënë dhe theksoi gatishmërinë për të punuar pa u lodhur, në shërbim të shtetit dhe të qytetarëve e mbi të gjitha në luftën pa kompromis kundër terrorizmit, racizmit, antisemitizmit, kriminalitetit, etj. Sipas tij, Prokurori i Përgjithshëm ka rol thelbësor në Unifikimin e praktikës gjyqësore, rritjen e cilësisë së vendimmarrjes, respektimin e të drejtave të njeriut, etj.

Gjatë kësaj ceremoni Z. Xhezair Zaganjori zhvilloi takime të veçanta me Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Francës Z. Bertrand Louvel, me Prokurorin e ri të Përgjithshëm Z. Francois Molins, me ministren e Drejtësisë së Francës Znj. Nicole Belloubet, Prokurorin e Përgjithshëm të New York-ut Cyrus Vance Jr., etj.

Item 1
 
Item 2
 
Item 3

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte