REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 04.10.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Me ftesë të Kryetares së Gjykatës së Lartë Federale të Gjermanisë Bettina Limperg, Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në konferencën e “Rrjetit të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të vendeve të Bashkimit Evropian”, zhvilluar në Karlsruhe Gjermani, në datat 27-29 shtator 2018.

Temat e zgjedhura për konferencën e këtij viti ishin; “Marrëdhënia mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë” si dhe “Zbatimi i të Drejtës së Krahasuar në praktikën gjyqësore të Gjykatave të Larta”

Prej vitit 2017 Kryetari i Gjykatës së Lartë e Republikës së Shqipërisë është pranuar në statusin e vëzhguesit në “Rrjetin e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të vendeve të Bashkimit Evropian” dhe për këtë arsye në fjalën e tij, Z. Zaganjori shprehu edhe një herë gatishmërinë dhe angazhimin e tij për forcimin e bashkëpunimit me këtë rrjet, në drejtim të përvetësimit të eksperiencave më të mira nga gjykatat e vendeve evropiane.

Në lidhje me temën e parë të kësaj konference, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Italisë Z. Giovanni Mammone, paraqiti raportin e plotë të hartuar mbi bazën e përgjigjeve të pyetësorit të përgatitur nga Gjykatat e Larta të këtij rrjeti.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Zaganjori bëri një panoramë të situatës ligjore të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë në Shqipëri, marrëdhëniet që janë krijuar ndërmjet këtyre gjykatave. Sipas kuadrit ligjor aktual në fuqi, kompetencat e Gjykatës Kushtetuese janë zgjeruar (duke përfshirë edhe të drejta të tjera kushtetuese të njeriut për t’ju drejtuar kësaj gjykate) si dhe rrethi i subjekteve që kanë të drejtën ti drejtohen kësaj gjykate. Po kështu edhe roli i Gjykatës se Lartë është formatuar me fokus tashmë në kontrollin e zbatimit në mënyrë të barabartë të ligjit si dhe unifikimin e praktikës gjyqësore.

Në veprimtarinë e tyre gjykatat, përfshirë dhe Gjykatën e Lartë, kanë përdorur të drejtën për të ushtruar kontrollin incidental për çështje që kanë të bëjnë me forcimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe unifikimin e praktikës gjyqësore. Sipas sistemit tonë ligjor ku kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve është i përqendruar, individit i njihet e drejta që të paraqesë direkt ankesë në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimeve gjyqësore që kanë cenuar të drejtat dhe liritë e tij themelore. Në jo pak raste Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë patur qëndrime të ndryshme për çështje ligjore të tilla si; gjykimi në mungesë, realizimi i të drejtës së mbrojtjes nga i pandehuri, e drejta e aksesit në gjykatë, etj..

Gjatë trajtimit të temës mbi përdorimin e së drejtës së krahasuar, Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Zaganjori theksoi se jurisprudenca e GJEDNJ-së dhe GJED-së, nuk përbën të drejtë të krahasuar, pasi konventa e KEDNJ dhe e drejta e Bashkimit Evropian janë pjesë e brendshme e sistemeve juridike respektivisht të shteteve anëtare të BE-së dhe KiE-së. Ai evidentoi rëndësinë që kanë citimet në vendimet gjyqësore të jurisprudencës së shteteve të tjera për çështje të ngjashme, në veçanti mes shteteve të cilat ndajnë kultura, histori dhe tradita të përbashkëta. Për këtë arsye jo pak herë Gjykata e Lartë e Shqipërisë në vendimet e saj citon jurisprudencë nga Italia, Gjermania dhe Austria. Por në këtë drejtim është e nevojshme përmbushja në mënyrë korrekte e dy aspekteve që kanë të bëjnë me; citimin jashtë kontekstit të çështjes objekt shqyrtimi dhe mbi të gjitha saktësinë e burimit të këtij citimi.

Në këtë aktivitet ishin të ftuar gjithashtu edhe kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut Guido Raimondi si dhe Kryetari i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë Koen Lenaerts. Gjatë takimit me ta, Z. Zaganjori i njohu me reformën në drejtësi, ecurinë e deritanishme të saj, vështirësitë e hasura si dhe pritshmërinë e këtij procesi.

Kryetari i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë Koen Lenaerts i konfirmoi Z. Zaganjori pranimin e ftesës dhe zhvillimin e një vizite në Shqipëri, në muajin dhjetor të këtij viti në Gjykatën e Lartë dhe Shkollën e Magjistraturës.

Në “Rrjetin e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të vendeve të Bashkimit Evropian” aderojnë 28 shtete anëtare të BE-së. Përmes bashkëpunimit, aktiviteteve dhe kontakteve, aktualisht është bërë e mundur që në këtë rrjet të pranohen në statusin e vëzhguesit edhe dy vende që janë në proces integrimi në BE, konkretisht Shqipëria dhe Mali i Zi.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte