REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 12.11.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Me ftesë të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Turqisë Z. İsmail Rüştü Cirit, shoqëruar dhe nga anëtarë të tjerë të kësaj gjykate. Delegacioni turk ishte i shoqëruar edhe nga Ambasadori i Turqisë në Tiranë Z. Murat Ahmet Yörük.

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Turqisë, Z. Cirit është pritur fillimisht në Gjykatën e Lartë nga anëtarët e kësaj gjykate, të cilët e kanë falenderuar delegacionin turk për këtë vizitë të rëndësishme.

Në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy popujve e vendeve tona, duke theksuar se ato shkojnë më larg se një miqësi e zakonshme mes dy shteteve. Sipas Z. Cirit këto takime kanë në plan të parë shkëmbimet e ndërsjella të përvojave të veçanta, në mënyrë që të dyja palët të marrin eksperiencat më të mira nga njëri-tjetri. Mbi të gjitha pavarësia e pushtetit gjyqësor në vendet me demokraci kushtetuese duhet të jetë parësore pasi, sipas Z. Cirit kjo ka rëndësi themelore për mbrojtjen e interesave të shtetit dhe të qytetarëve.

Z. Zaganjori e ka vlerësuar vizitën e bërë nga homologu i tij Turk, duke u shprehur se ky bashkëpunim mbi të gjitha është në shërbim të qytetarëve, të cilët duhet të kenë besim maksimal në organet e drejtësisë.   Problematikat janë të përbashkëta dhe duhet të jemi të gatshëm për t’u përballur me to, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje sa më të përshtatshme dhe në funksion të mbrojtjes së parimeve demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Më pas gjatë diskutimeve, anëtarët e Gjykatës së Lartë e kanë njohur delegacionin me funksionimin e sistemit të gjyqësorit në vendin tonë dhe Gjykatës së Lartë në veçanti, si dhe me proceset reformuese që po ndërmerren në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, problematikat, vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballet çdo ditë Gjykata e Lartë dhe sistemi gjyqësor në tërësi. Gjithashtu, edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë të Turqisë i kanë njohur kolegët e tyre shqiptarë me mënyrën e organizimit të pushtetit gjyqësor dhe gjykatës në të cilën ata bëjnë pjesë.

Sipas Z. Zaganjori dhe Z. Cirit, të dyja vendet ndajnë të njëjtat qëndrime lidhur me forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, forcimin e shtetit të së drejtës, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, rolin që ka Gjykata e Lartë në garantimin e sigurisë juridike nëpërmjet unifikimit të praktikës gjyqësore, rritjen e eficencës, performancës dhe transparencës së sistemit gjyqësor, etj..


Takime me personalitete të larta të vendit dhe drejtësisë


Kryetari i Gjykatës së Lartë të Turqisë, Z. İsmail Rüştü Cirit dhe delegacioni zyrtar që e shoqëronte, janë pritur në një takim të veçantë edhe Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta. Në takim ishin të pranishëm dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Xhezair Zaganjori si dhe Ambasadori turk në Tiranë, Z. Murat Ahmet Yörük.

Presidenti Meta e falënderoi Z. Cirit për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në sistemin e drejtësisë dhe shprehu dëshirën e besimin që ky bashkëpunim të vijojë edhe në të ardhmen.

Delegacioni turk është pritur nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Z. Bashkim Dedja, takim në të cilin është konsideruar si shumë i rëndësishëm bashkëpunimi midis institucioneve të drejtësisë së vendeve tona, thellimi i kontakteve mes Gjykatave të Larta dhe Kushtetuese si dhe adaptimin e standardeve gjyqësore të elaburuara nga Gjykata Evropiane të Drejtave të Njeriut.


Kryetari i Gjykatës së Lartë të Turqisë Z. İsmail Rüştü Cirit dhe delegacionin zyrtar turk, është pritur në takim edhe nga Zv. Ministri i Drejtësisë Z. Toni Gogu.

Duke e konsideruar shumë të rëndësishëm bashkëpunimin midis Ministrisë së Drejtësisë turke dhe asaj shqiptare në fushën e marrëdhënieve juridiksionale, Z.Gogu tha në fjalën e tij se, thellimi në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar është një çështje e cila duhet të ndiqet me përparësi nga organet ligj zbatuese të vendeve respektive.


Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni turk zhvilloi një vizitë në ambientet e Shkollës së Magjistraturës, ku u prit nga drejtori i kësaj shkolle Z. Sokol Sadushi dhe stafi pedagogjik i saj. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira të vendosura ndërmjet kësaj shkolle dhe Akademisë së Lartë të Drejtësisë së Turqisë, duke theksuar se këto marrëdhënia kanë njohur një progres të vazhdueshëm në kuadër të shkëmbimit të vizitave të përvitshme studimore të pedagogëve dhe magjistratëve të rinj, për përvetësimit e njohurive dhe shkëmbimin e eksperiencat më të mira në fushën e drejtësisë dhe programeve mësimore në formimin dhe kualifikimin e gjyqtarëve.

Të dy autoritetet e larta ndanë të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet e shkëlqyera që kanë Shqipëria dhe Turqia në të gjitha drejtimet dhe përshëndetën rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave në pushtetin gjyqësori.  

 

Item 2
 
Item 3
 
Item 4
 
Item 5
 
Item 6

 

 

 

 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte