REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 29.09.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Më datë 29 shtator 2017 Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Këshillin e Shtetit të Republikës së Greqisë, organizuan në Athinë konferencën e nivelit të lartë të shteteve anëtare me temë: “Harmonizimi i jurispridencës dhe praktika gjyqësore”. Në këtë takim të rëndësishëm ishte i ftuar dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori.

Konferenca u përshëndet me fjalët e Ministrit të Drejtësisë së Greqisë Z. Stavros Kontonis, Drejtorit të Përgjithshëm të KE-së për çështjen e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut Z. Chistos Giakoumopoulos si dhe Z. Nikolaua Sakellariou, President i Këshillit të Shtetit.

Në fjalën e tij Z. Zaganjori vuri në dukje ndër të tjera, rëndësinë që ka harmonizimi dhe konsistenca e jurisprudencës për shkak se ajo lidhet ngushtësisht me parimet e sigurisë juridike, barazisë përpara ligjit dhe efektivitetit, të cilat janë element themelorë të shtetit të së drejtës, si një nga vlerat kryesore të demokracisë si formë e qeverisjes.

Z. Zaganjori theksoi rolin që kanë Gjykatat e Larta në interpretimin unifrom të ligjit dhe mbrojten e të të drejtave themelore të qytetarëve. Këtë rol të rëndësishëm që kanë në cilësinë e dhënies së drejtësisë, Gjykatat e Larta e luajnë nëpërmjet unifikimit të praktikës gjyqësore dhe zhvillimit të së drejtës, duke garantuar në këtë mënyrë konsistencën dhe koherencën e jurisprudencës.

Më tëj ai u ndal në rëndësinë që paraqet bashkëpunimi ndërmjet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese të vendeve anetare të KiE, me qëllim garantimin efektivisht të së drejtes për një proces të rregullt gjyqësor.

Z. Zaganjori përmendi edhe situatën në të cilën ndodhet Gjykata e Lartë, vështirësitë që ka hasur ajo në procesin e unifikimit të praktikës gjyqësore, të cilat lidhen me numrin e pakët të gjyqtarëve, numrin e madh të çështjeve të pashqyrtuara dhe mungesës së një sistemi filtrimi të çështjeve. Pavarësisht këtyre problemeve, Gjykata e Lartë ka marrë masa për të identifikuar çështje për unifikim, nëpërmjet organizimit të tre konferencave me gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë, prej nga rezultuan 80 çështje të cilat kishin nevojë për unifikim.

Kryetari i Gjykatës së Lartë i njohu pjesëmarrësit në konferencë me ndryshimet që sistemi i drejtësisë në Shqipëri po i nënshtrohet kohëve të fundit, ku përfshihet edhe Gjykata e Lartë. Sipas ndryshimeve ligjore të reja misioni ekskluziv i Gjykatës së Lartë do të jetë shqyrtimi i çështjeve lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore. Tashmë Gjykata e Lartë do të ketë si mision unifikimin e jurisprudencës, ndërsa Kolegjet e Bashkuara do të merren me ndryshimin e saj.

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte