REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 22.05.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, priti sot në një takim Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Turqisë Z. Mehmet Akarca.

Z. Akarca ndodhet në Tiranë, me ftesë të Prokurorisë së Përgjithshme, me rastin e organizimit të Konferencës Ndërkombëtare, me temë “Qasjet e reja hetimore ndaj organizatave kriminale që përdorin internetin”.

Në fjalën e tij, Z. Zaganjori vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm të autoriteteve shqiptare të drejtësisë me ato turke në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe krimit kibernetik, për të cilin organizohet dhe konferenca rajonale. Kryetari i Gjykatës së Lartë u shpreh i gatshëm për vijimësinë e këtij bashkëpunimi veçanërisht në trajtimin e çështjeve të përbashkëta penale. Ai theksoi dhe vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin e frytshëm dhe marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Akademisë Turke të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës. Gjatë diskutimeve, Z. Zaganjori e njohu Z. Akarca me funksionimin e sistemit të gjyqësorit në vendin tonë dhe Gjykatës së Lartë në veçanti, si dhe me proceset reformuese që po merren në sistemin e drejtësisë në tërësi.

Prokurori i Përgjithshëm i Turqisë, Z. Mehmet Akarca gjatë këtij takimi shprehu konsiderata të larta mbi raportet shumë të mira me autoritetet shqiptare të drejtësisë. Ai garantoi se bashkëpunimi me Shqipërinë do të vijojë të forcohet edhe në të ardhmen, nëpërmjet shkëmbimit të vizitave studimore, organizimit të trajnimeve me tema që paraqesin interes të përbashkët si; lufta kundër trafiqeve të paligjshme, kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe atij kibernetik, bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale, etj..

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte