REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 02.07.2019

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori po zhvillon një vizitë studimore, së bashku me një grup magjistratësh të rinj, në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, në Luksemburg. Gjatë kësaj vizite studimore, në datat 2-4 korrik 2019 janë parashikuar disa takime zyrtare me përfaqësues të lartë të kësaj Gjykate.

Sot (e martë 02.07.2019), Z. Zaganjori u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë Z. Koen Lenaerts, takim në të cilin kryetari i Gjykatës së Lartë e ka falenderuar Z. Lenaerts për ftesën dhe organizmin e kësaj vizite interesante për grupin nga Shqipëria. Sipas Z. Zaganjori, është shumë e rëndësishme për magjistratët e rinj, ndjekja nga afër e proceseve gjyqësore të zhvilluara pranë Gjykatës Evropiane të Drejtësisë si dhe njohja e përvetësimi i jurisprudencës së kësaj gjykate. Në këtë kuadër, është e rëndësishme që kontaktet të jenë të vazhdueshme, nëpërmjet organizimeve të tilla, për shkak të aspirimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Në këtë mënyrë, gjyqtarët e të gjitha niveleve duhet jo vetëm të njihen me vendimet e GJED, por edhe të kenë mundësinë për të dialoguar me këtë gjykatë, gjatë procesit të ushtrimit të detyrës së tyre.

Presidenti i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë Z. Koen Lenaerts, tregoi edhe një herë gadishmërinë e tij për të mbështetur gjyqësorin në Shqipëri. Ai vuri në dukje se Gjykata e Drejtësisë garanton zbatimin e të drejtës së B.E. dhe barazinë e të gjithë shteteve anëtare të BE-së përpara ligjit. Në këtë këtë drejtim, ajo bashkëpunon me gjykatat kombëtare dhe për këtë arsye, këto të fundit duhet të bashkëpunojnë me këtë gjykatë veçanërisht në paraqitjen e çështjeve paragjykimore. Z. Lenaerts theksoi rëndësinë që kanë magjistratët e rinj në sistemin e drejtësisë duke i’u përgjigj interesimit të tyre në lidhje me disa çështje dhe pyetje mbi rolin e gjykatës në interpretimin e së drejtës evropiane, garantimin e konsistencës së jurisprudencës dhe interpretimit uniform të legjislacionit të BE-së, etj.. Z. Lenaerts vlerësoi gjithashtu edhe angazhimin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë në kuadër të Rrjetit të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të BE-së, ku Z. Zaganjori, prej disa vitesh është i ftuar në statusin e vëzhguesit.

Nga ana tjetër, Z. Lenaerts nuk la pa përmendur edhe vizitën e fundit të zhvilluar në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, duke i shprehur edhe një herë Z. Zaganjori mbresat, vlerësimet dhe falenderimet e tij të përzemërta.

Item 1
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte