REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 15.03.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në takimin e përbashkët të punës, zhvilluar ndërmjet Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) dhe “Rrjetit të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të vendeve të Bashkimit Evropian”, organizuar në Luksemburg, në datat 11-13 mars 2018.

Në “Rrjetin e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të vendeve të Bashkimit Evropian” aderojnë 28 shtete anëtare të BE-së. Përmes bashkëpunimit, aktiviteteve dhe kontakteve, aktualisht është bërë e mundur që në këtë rrjet të pranohen në statusin e vëzhguesit edhe dy vende që janë në proces integrimi në BE, konkretisht Shqipëria dhe Mali i Zi

Qëllimi i takimit ishte rritja e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet GJED dhe Gjykatave të Larta të Bashkimit Evropian, duke pasur në fokus kryesor vendimet paragjykimore.

Në tryezën e organizuar me këtë rast, drejtuar nga Presidenti i GJED Z. Koen Lenaerts dhe Kryetari i Rrjetit të Gjykatave të Larta të BE-së Z. Priit Pikamäe (Kryetar i Gjykatës së Lartë të Estonisë), përgjatë dy ditëve u diskutuan çështje të rëndësishme si; implementimi sa më i plotë dhe sa më i drejtë i Kartës së të Drejtave Themelore në Bashkimin Evropian dhe hapësirën e BE-së nga GJED dhe Gjykatat e Larta të këtyre vendeve; problemet që lidhen me koordinimin e punës dhe respektimin e të Drejtave të Njeriut mes gjykatave; probleme që kanë të bëjnë me referimin e çështjeve që kërkojnë interpretimin dhe zbatimin e traktateve dhe burimeve dytësore të së drejtës së BE-së, etj.

Në takimet e zhvilluara gjatë ditëve të punimeve, Z Zaganjori pati mundësinë për të referuar dhe shprehur mendimet e tij në lidhje me çështjet e shtruara për diskutim, së bashku me homologet e tij nga Gjykatat e Larta Evropiane dhe gjyqtarët e GJED-së.

Rrjeti bën bashkë kryetarët e Gjykatave të Larta të vendeve të Bashkimit Evropian dhe ka si synim kryesor promovimin e parimeve të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe kontributin që duhet të japë në këtë drejtim, vetëm një drejtësi e pavarur dhe eficente në shërbim të interesave të qytetarëve.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte