REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 23.05.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në punimet e Konferencës së 20-të Gjyqësore Ndërkombëtare, organizuar në Paris, Francë, 17-19 maj 2017.

Kjo konferencë kishte në qendër të punimeve trajtimin e një sërë çështjeve që kanë të bëjnë kryesisht me bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e drejtësisë.

Z. Zaganjori diskutoi në sesionin e parë me temë: “Nevoja e trajnimit vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Gjatë fjalës së tij Z. Zaganjori theksoi rëndësinë që ka kualifikimi i vazhdueshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë punës së tyre, si pasojë e ndryshimeve dinamike në legjislacion, proceseve integruese dhe globalizuese, zbatimin e standardeve ndërkombëtare në punën e përditshme.

Në kuadër të kësaj teme, Z. Zaganjori u ndal tek ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që prekin institucionin më të lartë arsimor shqiptar në fushën e drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës, përpjekjet e ndërmarra dhe kujdesin që ka treguar kjo shkollë në drejtim të trajnimit fillestar dhe trajnimit vazhdues për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë. Ai vlerësoi dhe asistencën e vlefshme ndaj kësaj shkolle, ofruar nga partnerët ndërkombëtarë si KiE, OSBE, USAID, Fondacionet Hanns Siedel, Konrad Adenauer, IRZ, etj.

Duke prekur procesin e reformës në drejtësi, Kryetari i Gjykatës së Lartë, theksoi se në fokus të saj ka qenë edhe formimi i vazhdueshëm profesional i magjistratëve në detyrë dhe roli i Shkollës së Magjistraturës për krijimin e një trupe gjyqësore të kualifikuar profesionalisht me njohuri dhe aftësi të nevojshme për t’ju përgjigjur sfidave me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare.

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte