REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT
Tiranë, 04.10.2018
Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe Qendra Evropiane, zhvilluar në Como Itali, në datat 01-03 tetor 2018.
Aktiviteti me temë “Sfidat e implementimit të Reformës në Drejtësi në kuadër të rritjes së besimit të publikut ndaj sistemit të drejtësisë”, pati në fokus të tij aspektet e reformës në drejtësi, fazën në të cilën ndodhet aktualisht kjo reformë, si dhe sfidat e së ardhmes.
Të pranishëm në punime ishin Z. Hartmut Rank, shefi i programit Rule of Law të Evropës Lindore dhe Jugore të Fondacionit Konrad Adenauer, Prof. Michael Eichberger, ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese Gjermane, si dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Z. Bashkim Dedja, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës Z. Sokol Sadushi, Avokati i Popullit Znj. Erinda Ballanca, Z. Idlir Peçi ekspert ndërkombëtar në Misionit EURALIUS V, si dhe përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, sekretariatit teknik të komisioneve parlamentare, organizata jo fitimprurëse, etj..
Z. Zaganjori në në fjalën e tij theksoi problemet dhe sfidat me të cilat përballet sot gjyqësori shqiptar si dhe Gjykata e Lartë në veçanti. Ndër to ai përmendi nevojën për një koordinim më të mirë për implementim, monitorimin e këtij procesi, shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të backlogut të çështjeve gjyqësore në Gjykatën e Lartë, përshpejtimin e procesit të vettingut, mos funksionimit në mënyrë të plotë të organeve drejtuese të gjyqësorit, etj..
Ndërsa në veçanti për Gjykatën e Lartë Z. Zaganjori evidentoi situatën tejet të vështirë në të cilën ajo ndodhet aktualisht, por edhe masat dhe përpjekjet që janë marrë në nivel institucional për përballimin e saj. Ndonëse me një kapacitet ekstremisht të reduktuar të trupës gjyqësore dhe të ndihmësve ligjorë, kjo gjykatë ka vijuar të trajtojë me përparësi çështje me natyrë urgjente, të tilla si; pensionet, konfliktet e punës, çështjet që lidhen me kompetencën dhe juridiksionin e gjykatave më të ulëta, ekstradimet, masat e sigurimit, etj.
Gjykata e Lartë sipas kuadrit të ri kushtetues dhe ligjor është e ngarkuar me kryerjen e një sërë detyrash. Në kuadër të përmbushjes së tyre Gjykata e Lartë ka vijuar edhe me shpalljen e kandidaturave për në KLGJ dhe Gjykatën Kushtetuese, shqyrtimin e plotësimit të kritereve ligjore të kandidatëve dhe publikimin e listës së tyre.
Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al