REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 25.03.2019

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Të Drejtat e Fëmijëve dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut”, zhvilluar në datat 22-23 Mars 2019 në Dubrovnik, Kroaci.

Kjo konferencë u organizua në kuadër të Forumit Rajonal Vjetor për Evropën Juglindore për Çështjet e Shtetit të së Drejtës, mbështetur si projekt i veçantë nga “The AIRE Centre” dhe Civil Rights Defender, në bashkëpunim me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Këshillin e Evropës. Rreth 200 pjesëmarrës në këtë forum, përfaqësonin Gjykatat Kushtetuese, Gjykatat e Larta, institucionin e Avokatit të Popullit, avokatë, shoqëria civile dhe mekanizmave të ndryshëm të drejtësisë në rajon, e të tjerë. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe gjyqtare e ish-gjyqtarë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Përgjatë dy ditëve të kësaj konference, u diskutuan çështje tepër të rëndësishme në lidhje më interpretimin dhe zbatimin në praktikë përmes jurisprudencës gjyqësore të nocionit “interesi më i lartë i fëmijes”; çështje dhe probleme mbi kujdestarinë e fëmijëve, vendin dhe trajtimin e tyre në procesin gjyqësor e veçanërisht në atë penal (si autorë të veprave penale, si viktimë apo persona në konfilkt); çështje që kanë të bëjnë me trafikimin, migracionin, bashkimin familjar dhe azilin; puna dhe detyrat në këtë fushë të agjentëve (përfaqësuesve) qeveritarë të shteteve anëtare në GjEDrNj; nevojat dhe fushat më imediate të trajnimit në nivel kombëtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (në Shkollat e Magjistraturës apo Institutet Gjyqësore); roli i Ombucmanëve kombëtarë dhe organizatave jo qeveritare në mbrojtjen efektive të të drejtave të fëmijëve, e çështje të tjera.

Në fjalën e tij, në një nga panelet e Konferencës, Z. Xhezair Zaganjori bëri fillimisht një pasqyrë të përgjithshme të kuadrit ligjor shqiptar, në çështjen e garantimit të të drejtave të fëmijëve, duke patur parasysh në këtë drejtim, standardet e Këshillit të Evropës si dhe jurisprudencën e GjEDrNj. Përpos arritjeve, ai evidentoi gjithashtu edhe probleme që kanë të bëjnë me trafikimin; mbrojtjen e fëmijëve në procesin gjyëqsor, veçanërisht në atë penal; luftën kundër prostitucionit dhe propagandës pornografike tek të miturit, etj..

Z. Zaganjori trajtoi gjithashtu edhe çështjen e nevojës së specializimit të vazhdueshëm të gjyqtarëve të veçantë në të gjitha gjykatat e vendit, për t’u marrë me çështjet e fëmijëve; rëndësisë që paraqet në këtë drejtim në procesin penal specializimi edhe i oficerëve të policisë gjyqësore si dhe i prokurorëve të hetimit dhe atyre që përfaqësojnë çështjen në gjykatë; rolin e Shkollës së Magjistraturës në këtë proces; hartimin e programeve që synojnë reabilitimin real të të miturve të dënuar penalisht, duke i vendosur ata në ambiente të veçanta e të përshtatshme, ku garantohen shërbime edukative të nevojshme dhe ndihmë psikologjike e vazhdueshme, etj.. Z. Zaganjori ngriti gjithashtu edhe çështjen e konsistencës së jurisprudencës së GjEDrNj, veçanërisht lidhur me të drejtat e fëmijëve në kuadër të nenit 8 të KEDrNj, si dhe reflektimin e saj në nivel kombëtar, përmes jurisprudencës së gjykatave të shteteve palë në Konventë.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte