REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 21.05.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në Forumin e VIII-të Ndërkombëtar të St.Petersburgut, Rusi, zhvilluar në datat 15-18 maj 2018. Në këtë aktivitet ndërkombëtar, Z. Zaganjori shoqërohej edhe nga anëtari i Gjykatës së Lartë Z. Admir Thanza.

Forumi Ndërkombëtar i Shën Petersburgut (FNL), është shfaqur si një platformë e rëndësishme ndërkombëtare, për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh të mprehta me të cilat ndeshet bashkësia ndërkombëtare në fushën e së drejtës. Në këtë aktivitet merrnin pjesë Ministra Drejtësie, Kryetarë të Gjykatave Kushtetuese dhe Gjykatave të Larta, akademikë, gjyqtarë e avokatë nga 90 vende të ndryshme të botës. Misioni kryesor i Forumit është të promovojë idetë që lidhen me modernizimin e sistemit të drejtësisë, forcimin e pavarësisë, rritjen e fektivitetit dhe shkëmbimin e eksperiencave më të mira mes shteteve në këtë fushë.

Fjala e hapjes së Forumit u mbajt nga Kryeministri i Federatës Ruse Dmitry Medvedev, i cili vuri theksin në rritjen e bashkëpunimin mes vendeve dhe modernizimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë, duke iu pergjigjur kërkesave të kohës. Gjithashtu ky Forum u përshendet edhe nga Ministri i Drejtësisë i Federatës Ruse Aleksandr Konovalov, i cili në fjalën e tij theksoi se ky forum është mundësi shumë e mirë për të gjithë pjesëmarrësit, pasi këtu diskutohen tema dhe problematika të ndryshme që kanë në fokus kryesor problemet dhe prespektivat e profesionit të juristit në të gjitha fushat.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në disa nga panelet kryesore të organizuara gjatë ditëve të Forumit, mbi Gjykimin Kushtetues, Mbrotjen e të Dhënave Personale, Zgjidhjen Paqësore të Mosmarrëveshjeve, Falimentin, Të Drejtën lidhur me Pronësinë Intelektuale, Ekonominë Dixhitale, etj.

Krahas ndërhyrjeve në disa nga panelet kryesore Z. Zaganjori i kushtoi një vëmendje të veçantë me diskutimet e tij, panelit kushtuar luftës kundër terrorrizmit, pushtetit gjyqësor dhe të drejtës ndërkombëtare.

Ky panel drejtohej nga Ndihmës/Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës Anti Terror në OKB Z.Vladimir Voronkov. Në panel mori fjalën dhe Stephan Husy, Drejtor për Luftën kundër Terrorrizmit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Zvicër, i cili theksoi se terrorrizmi luftohet me mjete efektive të cilat duhet të bazohen në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe që imponon bashkëpunim sa më të ngushtë të të gjithë faktorëve kryesorë për të luftuar këtë fenomen në thelbin e tij.

Një diskutim mjaft interesant dhe i rënësishëm në këtëm panel ishte dhe ai i ish prokurorit amerikan Kendall Coffey, i cili e trajtoi ndjekjen e personave apo grupeve terrorriste si një çështje tepër deliktate, bazuar në prova e mbi të gjitha në bashkëpunimin e ngushtë mes organeve shtetërore, shoqërisë civile e subjekteve privatë. Ai theksoi ndër të tjera gjithashtu se, është e nevojshme për hartimin e politikave shtetërore kundër terrorizmit arritja e një balance të drejtë, duke konsideruar nga njëra anë nevojën për mbrojtjen e interesave të shtetit dhe sigurisë publike, e nga ana tjeter respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Sipas Z. Kendell për të luftuar në mënyrë efektive këtë fenomen duhet të rishikohen dhe të rivlerësohen disa parime themelore të së Drejtës Humanitare (Konventa e Gjenevës).

Z. Zaganjori në fjalën e tij u ndal në mjetet dhe mënyrat me të cilat është më efektive lufta kundër grupeve dhe aktiviteteve terrorriste, pasi sulmet e tyre jane sulme kundër njerëzimit. Për këtë qëllim grupe të tilla përdorin mjete nga më të ndryshmet si rrjetet sociale dhe internetin me anë të të cilit ata bëjnë propaganda, rekrutime, financime, planifikime, trajnime, etj., për realizimin e sulmeve konkrete. Përgjigja më e mire në këtë drejtim, sipas Kryetarit të Gjykatës së Lartë, është informimi i gjerë dhe i vazhdueshëm i opinionit publik, me mënyrat sesi funksionojnë këto grupe në mënyrë që të parandalohet përfshirja në to. Gjithashtu ai vlerësoi rëndësinë që ka trajnimi i kualifikuar i gjyqtarëve, prokurorëve e policisë gjyqësore mbi teknikat e hetimit, ndjekjes, parandalimit dhe goditjes së grupeve kriminale terroriste. Po kështu rol të posaçëm në këtë drejtim luan edhe bashkëpunimi mes organeve ligj zbatuese të shteteve të ndryshme me qëllim shkëmbimin e shpejtë të informacionit për eliminimin e aktiviteteve terroriste.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte