REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 15.12.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë Konferencën Kombëtare me titull: “Efikasiteti i procedurave gjyqësore në Gjykatat Administrative të Shqipërisë dhe vlerësimi i efekteve të Reformës në Drejtësi”, organizuar nga Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, me pjesëmarrjen edhe të Presidentit të Republikës Z. Ilir Meta dhe kryetarëve të Gjykatave Administrative të republikës.

Në fjalën e tij z. Zaganjori duke paraqitur situatën aktualë në të cilën ndodhet Gjykata e Lartë u ndal në problematikat dhe vështirësitë me të cilat përballet sot kjo gjykatë si pasojë e mungesave të krijuara në trupën gjyqëosre dhe të ndihmesave ligjorë, të cilat kanë ndikuar negativisht në performancën e saj. Kjo situatë ka sjellë krijimin e një backlog-u shumë të madh e për rrjedhojë vonesa në shqyrtimin në kohë të çështjeve gjyqësore dhe ulje të ritmit të shqyrtimit të këtyre çështjeve, duke cenuar të drejtën për një gjykim brenda afateve të arsyeshme.

Ndër të tjera Z. Zaganjori theksoi se: “Çështja e mungesës së efiçenës së sistemit gjyqësor është një nga problemet themelore që është debatuar prej vitesh dhe jemi kritikuar në vazhdimësi. Ndaj me të drejtë, pikërisht ky problem është në fokusin kryesor të reformës në drejtësi. Për gjykimin administrativ ka vend për një debat dhe kërkim edhe më të thelluar. Ka ardhur koha të debatohet për cilësinë e vendimeve gjyqësore. Shumë pak, pothuajse aspak bëhet debat për cilësinë e këtyre vendimeve, në një kohë kur rastet janë të njëjta e zgjidhjet janë të ndryshme; lejohen subjektivizma shpeshherë edhe ekstreme në vendimmarrje, etj.

Shumë pak bëhet debat lidhur me shkaqet e numrit të madh të çështjeve në gjykatat tona. Pse kemi kaq shumë çështje? Dihet që në realitetin e shqiptar prodhohen jashtëzakonisht shumë konflikte. Aktualisht Gjykata e Lartë ka rreth 21-22 mijë çështjesh, një numër i jashtëzakonshëm. Një numër jashtëzakonisht shumë i madh dhe në gjykimin adiminstrativ.
Pse ka kaq shumë largime nga puna? Me mijëra njerëz largohen nga puna dhe të gjithë përplasen dyerve të gjykatave. Arsyeja kryesore (apo preteksti) ristrukturimi i institucionit. Nga ana tjetër, organet shtetërore nuk respektojnë as standardet minimale, as afatet dhe as procedurën e largimit, ashtu siç e kërkon ligji. Sa herë ka zgjedhje parlamentare, ka largime masive të punonjësve të administratës shtetërore. Me mijëra vetë detyrohen më pas të shkojnë dyerve të gjykatave. Fitojnë të drejtën e më pas për të njëjtin vend pune shteti paguan 2 apo ndoshta edhe 3 vetë. Pse në tatime e dogana pothuajse 100% largohen sa herë ka zgjedhje? Pse ka probleme me ushtarakët? Me mijëra ushtarakë janë larguar nga detyra, dhe enden prej vitesh dyerve të gjykatave sepse ka probleme me ligjin. Është ndryshuar ligji shumë shpesh. Dhe çfarë kërkojnë? Një pension të parakohshëm për të vjetërsinë e shërbimit. Pse ka kaq shumë konflikte për pensionet? Kanë punuar gjithë jetën njerëzit dhe pastaj për mungesë të dokumentacionit në instituticione shtetërore ato sorollaten për vite të tëra dyerve të gjykatave për të marrë pensionin që u takon, për të përballuar jetesën. Dhe të gjitha këto përbëjnë atë që quhet Backlock-un e gjykatave, që janë probleme të ekzekutivit e pse jo edhe të legjislativit, siç është çështja e pronave. Duke filluar nga viti 2004 ligji ka ndryshuar pothuajse çdo vit për arsye kryesisht elektorale, dhe ende sot, po bëhen 30 vite, që qytetarët rropaten gjykatave lidhur me çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronës. Këtu u përmend se rreth gati 10% e çështjeve kanë filluar që të zgjidhen brenda afatit. Unë do të thoja që këto janë çështje që janë zgjidhur jo brenda afatit, por jashtë afatit. Ato janë përshpejtuar për arsye të ndryshme ligjore. Në Gjykatën e Lartë ka rreth 6 mijë çështje administrative. Si mund të respektohet afati i gjykimit 90 ditor me 3 gjyqtarë në Kolegj, përfshirë edhe veten, pavarësisht punës tepër voluminoze që kemi bërë, duke patur parasysh edhe mungesën e këshilltarëve?”

Ndërkohë që Presidenti i Republikëes Z. Ilir meta në fjalën e tij vurin theksin tek nevoja për konstituimin e shpejtë të organeve të reja gjyqësore, dhe konkretisht të Këshillit të Lartë Gjyqësor, si organet përgjegjëse për mbarëvajtjen e gjyqësorit. Sipas Z. Meta gjykimi në afat është një pritshmëri legjitime e të gjithë shqiptarëve. Nëse kjo situatë nuk ndryshon cilësisht, atëherë qëllimet e mëdha të reformës nuk do të fillojnë të ndjehen realisht nga të gjithë qytetarët shqiptarë.

Item 1
 
Item 2
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte