REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 25.04.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kroaci, me ftesë të Presidentit të Gjykatës së Lartë të Kroacisë Z. Duro Sessa, i cili është njëkohësisht dhe Kryetar i Bordit të Akademisë së Gjyqtarëve.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Zaganjori ka falenderuar Z. Duro Sessa për ftesën lidhur me zhvillim e takimit, duke u shprehur se këto takime kanë në plan të parë shkëmbimet e ndërsjella të përvojave të veçanta të secilit prej shteteve, në mënyrë që të dyja palët të përfitojnë nga këto përvoja. Gjatë këtij takimi Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Zaganjori, vuri theksin tek nevojat për një drejtësi sa më efektive në shërbim të qytetarëve si dhe në forcimin e shtetit të së drejtës. Ai e njohu Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Kroacisë me ecurinë e procesit të reformës në drejtësi, ndryshimet Kushtetuese e ligjore të ndodhura së fundi, implementimin e këtij procesi kaq të rëndësishëm për vendin si dhe problematikat me të cilat po përballet sot Gjykata e Lartë si dhe i gjithë sistemi i gjyqësorit, të cilat lidhen kryesisht me zbatimin e reformës në drejtësi.

Procesi në të cilin ka hyrë sot Shqipëria dhe paraqitja e rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka qenë gjithashtu në qendër të bisedimeve të zhvilluara mes dy kryetarëve të Gjykatave të Larta, pasi Shqipëria kërkon sot të përvetësojë eksperiencat më të mira, duke ndjekur hapat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë të këtyre vendeve. Në këtë këtë drejtim, u diskutua mbi bashkëpunimin me gjykatat kombëtare duke pasur në fokus kryesor vendimet paragjykimore.

Duke qenë se Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Zaganjori ashtu si edhe homologu i tij Kroat Z. Sessa janë njëkohësisht drejtues të Bordeve të Shkollës së Magjistraturës dhe Akademisë së Gjyqtarëve, në takim u diskutua edhe mbi mundësinë e bashkëpunimit mes dy akademive në funksion të kualifikimit të mëtejshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në Shqipëri. Ky bashkëpunim, nëpërmjet trajnimeve dhe vizitave studimore do të sillte rritje të standardeve të gjykimit dhe cilësisë së vendimeve nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.

Gjatë qëndrimit në Kroaci Z. Zaganjori zhvilloi edhe një takim me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë Z. Kristian Turkalj, i cili ka qenë ekspert gjatë proceseve integruese, në Kapitujt 23 dhe 24, si pjesë e reformave të implementuara për plotësimin e kushteve për marrjen e statusit të vendit anëtar në Bashkimin Evropian të Kroacisë. Gjatë këtij takimi, në fokus të bisedimeve ishin përcjellja e përvojave dhe eksperiencave më të mira në forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, për plotësimin e kritereve për integrim sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian​.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte